Seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj Aziz Gashit, i dyshuar për vrasjen e Beqir Morinës në Prizren

Akuzohet se vrau 48-vjeçarin me kallashnikov në prani të gruas e të fëmijës, gjykata ia vazhdon paraburgimin

Gjykata e Prizrenit ia ka vazhduar paraburgimin Aziz Gashit, i cili akuzohet se ka vrarë Beqir Morinën në mbrëmjen e 2 shtatorit të vitit 2023, duke shkrepur mbi të 10 plumba me kallashnikov, teksa viktima ishte në prani të gruas dhe vajzës së tij 8-vjeçare.

Paraburgimi i është vazhduar deri më 4 shkurt 2024.

Gashi kishte qenë i arratisur më shumë se 24 orë nga ngjarja kritike dhe më pas ishte arrestuar në një hapësirë malore në fshatin Tërpezë në Malishevë rreth orës 20:00 më 4 shtator.

Gjykata e Prizrenit në një përgjigje të dhënë për Kallxo.com ka thënë se gjykata ka vlerësuar se masa e paraburgimit është e domosdoshme për të pandehurin në fjalë, mbi të cilin rëndojnë akuzat për vrasje të rëndë.

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, Gjyqtarja e Procedurës paraprake, Teuta Krusha, me datë 01.12.2023, ka marrë aktvendim, dhe ndaj të pandehurit A.G., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale, vrasja e rëndë nga neni 173. Par. 1 nën par. 1.5 të KP-së, dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par. të KP-së, ashtu që të pandehurit i është vazhduar masa e paraburgimit, e cila mund të zgjasë deri më datë 04.02.2024” – thuhet në përgjigjen e gjykatës për Kallxo.com.

Kjo gjykatë ka vlerësuar se vazhdimi i paraburgimit është i nevojshëm, pasi që hetimet janë në zhvillim e sipër.

Tutje, në përgjigjen e gjykatës thuhet se vazhdimi i paraburgimit është i arsyeshëm me qëllim të sigurimit të të dyshuarit në procedurë hetimore, duke marrë parasysh se i njëjti pas ngjarjes kritike kishte qenë në arrati, andaj me lënien e tij në liri ekziston rreziku i arratisjes.

Para gjykatës, më 6 shtator i dyshuari kishte shprehur keqardhje për rastin dhe kishte dhënë versionin e tij.

“Më vjen keq ajo çka ka ndodhur se nuk e kisha bo, po se ajo është gjatë momentit, por është problemi se ata më kanë sulmuar edhe mua edhe kerrin, nuk i kam sulmu unë. Që 10 vjet kam probleme me ta, ma shumë 5-6 vjet…unë jam sulmuar nga tre persona, ma poshtë ata jetojnë. Dashta me thanë se mvjen keq qajo që ka ndodh se nuk e kisha bo, për shembull m’u kanë në gjendje të qetë ose në gjendje të rregullt” – kishte deklaruar Gashi.

Versioni i Prokurorisë

Më 2 shtator 2023, rreth orës 18:45, në Prizren, në lagjen “Arbanë”,  Aziz Gashi dyshohet se privoi nga jeta personin tjetër dhe me atë rast me dashje e kishte vënë në rrezik jetën e më shumë personave, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Sipas dosjes, rasti kishte ndodhur pas një zënke rreth një pusete në mes të të pandehurit dhe viktimës, ku i pandehuri Aziz me automjetin e tij ishte nisur në drejtim të shtëpisë së tij nga thuhet se ka marrë armën e gjatë AK-47, kishte hipur në automjet dhe ishte nisur në drejtimin e viktimës, kur vjen në vendin e ngjarjes e vëren viktimën Beqir Morina, i cili ishte duke ecur në shoqëri me të dëmtuarit H. M., (bashkëshortja e viktimës), A. M., (vajza tetë vjeçare e viktimës), R. M., dhe H. Sh

Tutje në  dosje thuhet se i dyshuari Aziz Gashi u del përballë me automjet, i pajisur me pushkë automatike AK-47, zbret nga automjeti, shkrep 2-3 herë në drejtim të viktimës Beqir Morina, me ç’rast të njëjtin e godet në regjionin e barkut ndërsa të dëmtuarve, nga goditjet e marra viktima rrëzohet në tokë, i pandehuri i afrohet viktimës ia drejton armën në kokë dhe e ekzekuton duke shkrepur një rafal prej dhjetë plumbave në drejtim të kokës së viktimës me ç’rast e godet të njëjtin në kokë, viktima nga plagët e marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Ndërkaq, sipas dosjes, i dëmtuari H.Sh., fshihet prapa automjetit të të pandehurit, i pandehuri largohet në drejtim të automjetit të tij, ku e vëren të dëmtuarin H. Sh., ia drejton armën, e në momentin kur i dëmtuari i drejtohet me fjalë se “unë nuk kam bërë asgjë, vetëm ju kam ndarë”- i thotë që të largohet nga aty, hip në automjetin e tij të llojit “Volkswagen Tiguan” me ngjyrë Hirei metalike, largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.

Me këtë rast të dëmtuarve H.M., (bashkëshortja e viktimës), A.M., (vajza tetë vjeçare e viktimës), R. M., dhe H. Sh., u kishte rrezikuar jetën.

Sipas Prokurorisë, një pushkë automatike AK-47 me nr. serik 56-201-2722, së bashku me dy karikatorë të mbushur me fishekë, e me të cilën armë dyshohet se e ka privuar nga jeta Beqir Morinën dhe me dashje u ka rrezikuar jetën të dëmtuarve H. M., (bashkëshortja e viktimës), A.M., (vajza tetë vjeçare e viktimës), R. M., dhe H. Sh., është gjetur gjatë kontrollit të shtëpisë ku ishte fshehur i pandehuri në fshatin Tërpezë të Malishevës.