Foto: ZKM
Pritja lamtumirëse e ambasadorit Hovenier, Kurti: Kosova do të jetë gjithmonë shtëpia juaj
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në pritjen lamtumirëse të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, që u mbajt në ambientet e Ambasadës amerikane në Prishtinë.
Në adresimin e tij, sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti u shpreh se në këto gati tre vjet sa ka shërbyer Hovenier si ambasador në Kosovë, marrëdhëniet e veçanta të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë rritur në një numër rrafshesh.
“Nga rritja e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe inteligjencës, te mbështetja për zgjerimin e kapaciteteve energjetike të Kosovës, e te vlerësimi i parë kreditor i Kosovës. Në të gjitha këto fusha, por jo vetëm, kryeministri tha se puna dhe dedikimi i ambasadorit Hovenier kanë qenë qenësore në progresin tonë” – thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Sipas njoftimit në fjalë, Kurti tha se koha e ambasadorit në Kosovë është definuar jo vetëm nga profesionalizmi dhe integriteti i tij, por edhe nga humanizmi dhe mbështetja e palëkundur për popullin e Kosovës.
Kurti gjithashtu u shpreh se Kosova dhe SHBA gëzojnë një marrëdhënie të jashtëzakonshme dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri kryesor i Kosovës, një aleat i besueshëm dhe një mik i veçantë.
Në njoftim shtohet se kryeministri theksoi se miqësia mes dy vendeve nuk është një miqësi e thjeshtë, njëdimesionale – por më tepër “3D” e bazuar në diplomacy (Diplomacy), zhvillim (Development) dhe mbrojtje (Defense).
Kryeministri ambasadorin Hovenier e quajti një njeri të shquar, mik besnik të Kosovës dhe që do ketë gjithmonë vend në zemrat tona.
Kurti iu drejtua ambasadorit duke i thënë se Kosova do jetë gjithmonë shtëpia e tij, e se do të jenë këtu për ta mirëpritur – si një mik i dashur.