Foto: Komuna e Prishtinës, Trafiku Urban

Prishtinës i shtohen 90 autobusë të rinj

Kryeqyteti ka shtuar 90 autobusë të rinj në flotën e transportit publik.

Sipas njoftimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, pritet të shtohen edhe 30 autobusë të tjerë. Ai ka theksuar se bashkëpunimi me partnerë ndërkombëtarë, si BERZH, IFC, KfW dhe Banka Botërore, synon jo vetëm rritjen e numrit të autobusëve, por edhe modernizimin e tyre me mjete elektrike dhe logjistikë bashkëkohore.

“Ky transformim nuk është një akt i vetëm – është një proces i vazhdueshëm që synon një Prishtinë më të pastër, më të gjelbër dhe më të qasshme për të gjithë qytetarët”- ka shkruar Rama sot, më 09.09.2025.

Gjatë këtij viti, qeverisja lokale në Prishtinë është kritikuar për disa nga punët dhe vendimet e nxjerra për transportin publik. I pari i kryeqytetit mori kritika lidhur me vendimin e Komunës së Prishtinës për sistemin e unifikuar të trafikut urban – përfshirë operatorët privatë që lidhin fshatrat e komunës.

Që nga 2 janari 2025, qytetarët e Prishtinës kanë një sistem të unifikuar të transportit publik urban, me bileta të integruara ditore, javore dhe mujore për të gjitha linjat – përfshirë operatorët privatë, të cilët po ashtu operojnë sipas këtyre kushteve.