Selim Selimi. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prezantohet strategjia e rishikimit funksional nga Ministria e Drejtësisë

Ministri i Ministrisë së Drejtësisë, Selim Selimi në një konferencë të mbajtur për media ka bërë të ditur se sot është finalizuar strategjia e rishikimit funksional.

“Sot e kemi një lajm jashtëzakonisht të mirë pas shumë viteve punë, sot është finalizuar strategjia e rishikimit funksional. Këtë punë e ka bërë fronti i parë i drejtësisë, Këshilli gjyqësor dhe ai Prokurorial”, ka thënë Selimi.

Ai tutje ka bërë të ditur se ky është një plan pesë vjeçar, i cili ka për qëllim ndryshimin pozitiv në sistemin e drejtësisë.

“Ne sot kemi përpiluar planin 5 vjeçar për ndryshimin pozitiv në sistemin e drejtësisë, e pavarësisë së sistemi të drejtësisë dhe është një plan i cili do ti mbrojë qytetarët dhe prokurorit e ndershëm”, ka thënë Selimi.

Ndërsa, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovë, Skender Qoqaj strategjinë e rishikimit funksional e ka quajtur proces tejet të rëndësishëm.

“Ky është proces tejet i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë, rishikimi funksional i drejtësisë synon që të hartoj strategjinë për reformimin e sistemit të drejtësisë duke i trajtuar problemet kyqe me të cilat përballet sistemi i drejtësisë”, ka thënë Qoqaj.

Tutje Qoqja ka thënë se KGJK zotohet se di t’i trajtoj të gjitha komentet dhe sugjerimet në lidhje me gjyqësorin, me qëllim të arritjes së performancës dhe llogaridhënies në KGJK.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni në këtë konferencë tha se ky plan do të jetë bazament i fuqishëm për të ndryshuar shtetin ligjor.

“Kemi punuar me përkushtim, pasi që qëllimi ka qenë të avancojmë një sistem të cilin e kemi kërkuar deri më tani. Plani parasheh fuqizimi e Sistemit Gjyqësor dhe Prokurorial, fuqizimi i Sistemit të Drejtësisë, fuqizimi i qasjes në drejtësi dhe fuqizimi i luftës kundër korrupsion”, ka thënë Hyseni.