Zv.ministri i Drejtësisë: Kemi dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj Selim Selimit dhe Nehat Thaçit

Zëvendësministri i Ministrisë së Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka njoftuar për anulimin të njëanshëm të kontratës për dhënien në shfrytëzim të pronës së ish-motel “Vicianium” në Vushtrri.

Sallahu ka bërë të ditur se kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale kundër ish-ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi dhe drejtorit të Shërbimit Korrektues, Nehat Thaçi.

Sallahu ka shtuar se gjithashtu kanë dorëzuar kërkesën në Këshillin Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë kundër Nehat Thaçit.

Postimi i plotë i Blerim Sallahut:

Sot, njëanshëm kemi anuluar kontratën kriminale përmes së cilës  persona të papërgjegjshëm kanë dhënë në shfrytëzim pronën e Ministrisë së Drejtësisë, personit juridiko privat pa asnjë bazë ligjore, gjithësej 2 hektarë e 12 ari e 17 metra katëror.

Po ashtu kemi dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale kundër ish Ministrit Selim Selimi dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi.

Dhe krejt në fund kemi dorëzuar kërkesën në Këshillin Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë kundër Nehat Thaçit për shkak të shkeljes së rëndë të detyrave të punës.

Nuk mund dhe nuk duhet të tolerojmë shkelje të ligjit!

Zëvëndësministri i MD, Blerim Sallahu  gjatë një konference të premtën tha se  prona e cila është jep në shfrytëzim nga SHKK i është dhënë në mënyrë të kundërligjshme një kompanie e cila nuk ka qenë e regjistruar në ARBK në momentin është dhënë kontrata.

“Kompania që ka fitu kontratë nuk ka pas çertifkatë të biznesit këtë çertifikatë e ka pranu pesë orë pasi ka pranu kontratë për shfrytëzimin e pronës. Baza ligjore nuk jep të drejtë për dhënien në shfrytëzim të asaj prone. Në kundërshtim me ligjin akterët e përfshirë kanë lidhur kontratën e cila jep në shfrytëzim pronën e MD dhe SHKK ndërsa në këmbim është marrë çmim banal prej 2100 euro në muaj, ndërsa sipas vlerës së tregut çmimi është më i lartë. Kompania ka demolu hotelin Vicinaum dhe objekte të tjera, kemi të bëjmë më ndërmarrja të përbashkët kriminale. Kontrata është nënshkruar nga Nehat Thaçi”, ka thënë Sallahu

Ndaj kësaj kishin reaguar, ish Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi dhe drejtori i SHKK-së, Nehat Thaçi.