Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Selimi: Pas 4 shtatorit, Kosova të lobojë për antarësim në organizata ndërkombëtare
Ish-ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Avdullah Hotit, Selim Selimi ka deklaruar se Kosova pas 4 shtatorit duhet të lobojë për antarësim në organizata ndërkombëtare.
Sot është bërë një vit që kur Kosova dhe Serbia nënshkruan një dokument zotimesh në Uashington, me ndërmjetësim të presidentit të atëhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Sipas kësaj marrëveshje, Kosova për një vit stopoi lobimin për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Ish-ministri i Drejtësisë në atë kohë Selim Selimi, kishte marrë pjesë në Uashington si përfaqësues i partisë në koalicionin qeverisës – Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Një vit pas, ai thotë për KALLXO.com se marrëveshja e Uashingtonit është një prej marrëveshjeve më të rëndësishme të Republikës së Kosovës, pasi që është arritur me ndërmjetësim të ShBA-ve dhe në Shtëpinë e Bardhë.
Selimi ka shtuar se një prej kompromiseve që i ka bërë Kosova në këtë marrëveshje ka qenë pranimi i moratoriumit një vjeçar për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, por jo edhe për njohje bilaterale.
“Ky moratorium tashmë është konsumuar dhe ajo pikë e marrëveshjes është konsumuar”, shprehet ai.
I pyetur nëse Kosova duhet të lobojë për anëtarësime pas 4 shtatorit, Selimi ka shtuar se kjo është një e drejtë e shtetit.
“Absolutisht po. Kjo është një e drejtë e jona kushtetuese dhe ligjore sepse ne e përcaktojmë orientimin tonë euroatlantik në dokumentin bazë-Kushtetutën tonë andaj edhe aplikimi në organizata ndërkombëtare është i domosdoshëm. Kjo pikë e cila është arritur nuk i ka ndalë njohjet bilaterale por kjo qeveri aktuale nuk ka punuar fare për ndonjë njohje tjetër”, theksoi ai mes tjerash për KALLXO.com.
Të premten e kësaj jave është raportuar se Departamenti i Shtetit Amerikan inkurajoi Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë me moratoriumin mbi çështjet e njohjes që ndërlikojnë përparimin në fushat teknike.
KALLXO.com ka pyetur Qeverinë e nëse institucionet do të vazhdojnë lobimin për anëtarësime në organizata ndërkombëtare, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.