Ish-ministri i Drejtësisë: Kamerat në veri kanë të bëjnë me vepra penale

Ish ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, lidhur me kamerat në veri, të cilat i nxori në pah hulumtimi i emisionit “Kallxo Përnime” tha se ekziston dyshimi i bazuar që kanë të bëjnë me vepra penale.

Selimi në emisionin “Kallxo Përnime’ tha se këto kamera nuk kanë të bëjnë me ndonjë shkelje administrative apo ndonjë vepër penale kundër privatësisë.

Ai tha se raportimi i KALLXO.com duhet të jetë një rrëqethje për Qeverinë aktuale për shkak që në bazë të raportimeve këto kamera janë vendosur prej shtatorit deri në dhjetor 2021.

“Pikë së pari do të jetë goxha e vështirë të zhvillohet një hetim i duhur sepse në veri ekziston një luftë e ftoftë në miniaturë, dhe ky shqetësim dhe dramë që është momentalisht në veri të cilin e ka edhe Kurti në fushatë kur u dashtë me u largu nga veriu por edhe institucionet tjera, mendoj që duhet të shihet në një prizëm goxha të kujdesshëm. Nëse është vendosur ndonjë kamerë prej shtatorit deri në dhjetor kjo tregon për një avancim të politikës së Serbisë ndaj Kosovës”, ka shtuar Selimi.

Selimi tha se kjo nuk ka të bëjë me ndonjë marrëveshje të komunitetit serb as të jetesës së tyre atje.

“Një kamerë vendoset për të spijunu dhe nëse është vendosur një kamerë që është spijunu kundër ligjeve të Kosovës dhe nuk dihet kush e ka vendosur shqetësimi duhet të jetë i atypëratyshëm dhe nuk ka të bëjë për prishjen e rëndit dhe qetësisë apo bashkëjetesës mes komuniteteve në Mitrovicë por ka të bëjë me një agresion direkt të shtetit të Serbisë në Kosovë”, tha tutje Selimi.

“Nëse kjo qeveri i ka dërguar Policinë për vepra penale të krimit të organizuar atëherë dy herë me shumë duhet t’i dërgojë ato njësi për me i hekë ato kamera të cilat potencialisht mund të jenë në dyshimin e bazuar se e cenojnë integritetin territorial dhe kushtetutshmërinë”, tha ai.

Ndërsa njohësi i çështjeve të sigurisë Nuredin Ibishi ka thënë se Policia nuk po e zbaton nenin që ka të bëjë me monitorimin e vendeve të caktuara.

“Për 14 vite që Policia e Kosovës nuk e merr veten me zbatu nenin 25 vëzhgimi parandalues i rendit publik, që nënkupton që është e obliguar me bë monitorimin e vendeve të caktuara, ku prishet rendi, qetësia publike, parandalohet krimi e këto”, ka thënë Ibishi.

Ai ka shtuar se menjëherë duhet të merren masat dhe kamerat të hiqen.

“Duhet menjëherë të merren masat dhe të detyrimisht të hiqen, kur opinioni e din dhe po dihet që nuk monitorohen nga autoritetet zyrtare por nga strukturat ilegale atëherë duhet të veprohet jo të pritet tash një kohë të papërcaktuar”, ka shtuar njohësi i çështjeve të sigurisë.