Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Avdullah Hoti kërkon nga Selim Selimi ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores së Institutit të Mjekësisë Ligjore

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar nga ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi, ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores së Brendshme të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML).

Për këtë Rregullore, KALLXO.com kishte raportuar në fund të vitit 2020, e cila shuante Departamentin që parashihte hetimin shkencor dhe mjekoligjor të krimeve të luftës në Kosovë.

Bëhet fjalë për Rregulloren e Brendshme të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), e cila është nënshkruar me 1 korrik 2020 nga Selimi, e që ka hyrë në fuqi nga 3 janari i vitit 2021.

Sipas kërkesës së Hotit, dërguar ministrit Selimi, Zyra Ligjore e Zyrës së Kryeministrit ka vërejtur se Rregullorja nuk është në përputhje të plotë me Ligjin për Mjekësinë Ligjore, konkretisht me nenin 15 të tij.

“Si përfundim, duke u bazuar në kompetencat e mia si Kryeministër, kërkoj nga ju që Rregullorja, të plotësohet dhe ndryshohet për të qenë në përputhje të plotë me nenin 15 të Ligjit për Mjekësinë Ligjore”, thuhet ndër të tjera në kërkesën e Hotit, për ministrin Selimi.

Tutje, Hoti ka kërkuar nga Selimi që brenda 10 ditëve ta njoftojë për veprimet e marra në lidhje me kërkesën.

Kundër kësaj Rregullore kishin dalë shumica e punëtorëve dhe ekspertëve mjekoligjorë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, pasi sipas tyre, përveç që është e kundërligjshme, ka rrëzuar një nga shtyllat kryesore të këtij Instituti, atë të Hulumtimit.

Për hartimin e Rregullores kishin marrë pjesë në grupe punuese ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, në të cilat grupe punuese, ekspertët vendorë pretendojnë se janë injoruar në tërësi propozimet, sugjerimet dhe vërejtjet e tyre.

VIDEO: Ministri Selimi shuan Departamentin e hetimeve mjekoligjore të krimeve të luftës