Selimi i reagon Haxhiut: Marrëveshjen për të burgosurit danezë është nënshkruar gjatë qeverisë Kurti 2

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Integrime Evropiane ka deklaruar se marrëveshjen e Kosovës me Danimarkën për sjelljen e 300 të burgosurve danezë në Kosovë e ka trashëguar nga qeveria e kaluar.

Mirëpo, ish-ministri i Drejtësisë në qeverinë Hoti, Selim Selimi ta për KALLXO.com se gjatë qeverisjes së tij janë kanë filluar vetëm kontaktet e para me shtetin danez për këtë temë.

Selimi shton se gjatë mandatit të tij nuk ka pasur marrëveshje, por se ajo është arritur gjatë kohës së qeverisjes Kurti.

“Unë si ministër kam filluar kontaktet e para me Danimarkën për projektin e të burgosurve dhe bashkëpunimit bilateral. Jemi takuar dy herë me delegacionin danez. Ata kanë bërë vlerësimet e tyre për kapacitete. Çështja e marrëveshjes nuk ka ndodhur gjatë mandatit tim, por gjatë mandatit të kësaj qeverie”, tha Selimi për KALLXO.com.

Haxhiu: Marrëveshjen për të burgosurit danezë e kam trashëguar nga qeveria e kaluar

Selimi vlerëson se një marrëveshje e tillë është e mirë për Kosovën.

“Sido që të jetë, mendoj që ky është një projekt i mirë për Kosovën, i cili vlen të përkrahet. Vlerësimi që Danimarka i ka bërë Shërbimit Korrektues dhe profesionalizimit të këtij institucioni është shumë i mirëseardhur dhe nga ky projekt Kosovën jo vetëm që përfiton financiarisht, por hap edhe vende të reja të punës, por gjithashtu renditët në krah të demokracive të avancuara siç është Danimarka, si në marrëdhëniet bilaterale ashtu edhe në ato multilaterale që lidhen me BE-në”, tha Selimi për KALLXO.com

Kosova dhe Danimarka janë pajtuar që 300 te burgosur nga ky vend të sjellën në Kosovë. Sipas ministrisë së drejtësisë, Kosova nga kjo marrëveshje përfiton 210 milion euro.

300 të dënuarit në Danimarkë që pritet të vijnë në Kosovë janë me rrezikshmëri të mesme