Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Reagon ish-ministri Selim Selimi, pas inicimit të procedurave për shkarkimin e Nehat Thaçit
Ish Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka reaguar pas deklaratave të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu për inicimin e shkarkimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues, Nehat Thaçi.
Kjo si shkak i dhënies më qera të pronës së ish Hotelit Vicianum në Vushtrri nga SHKK.
Selimi ka thënë se një proces i tillë kishte filluar para mandatit të tij duke thënë se akuzat janë me motive krejtësisht politike.
“Më lejoni që të ju informoj, që rasti i tokës së ShKK-së është një proces i cili ka filluar para mandatit tim si Ministër. Ministrja Haxhiu e din këtë shumë mirë. Dhënia me qira e tokës ka ndodhur me ankand publik. Paratë shkojnë direkt në Shërbimin Korrektues. Tokën e kemi ruajtur, kemi mbrojtur shërbimin”, ka thënë ai.
Selimi ka ftuar ministren e Drejtësisë që të publikoj të gjithë dosjen e këtij rasti duke thënë se nëse Haxhiu nuk e bën ai do të kërkojë zyrtarisht atë për ta dërguar në Prokurori.
“Ftoj ministren që në bazë të Ligjit për qasje në dokumente publike ta publikojë gjithë dosjen. Nëse nuk e bën këtë ministrja, do ta kërkoj zyrtarisht dosjen dhe do ta publikoj. Njëkohësisht një kopje do ta dorëzoj personalisht në Prokurori. Dosja e ankandit shumë vjeçar e konfirmon këtë gjë”, tha ai.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu sot ka njoftuar se ka kërkuar nga Këshilli Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë, që të shqyrtojë veprimet e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi duke kërkuar të vendosin për shkarkimin e tij.
Zëvëndësministri i MD, Blerim Sallahu ka theksuar se prona e cila është jep në shfrytëzim nga SHKK i është dhënë në mënyrë të kundërligjshme një kompanie e cila nuk ka qenë e regjistruar në ARBK në momentin kur i është dhënë kontrata.
“Kompania që ka fitu kontratë nuk ka pas çertifkatë të biznesit këtë çertifikatë e ka pranu pesë orë pasi ka pranu kontratë për shfrytëzimin e pronës. Baza ligjore nuk jep të drejtë për dhënien në shfrytëzim të asaj prone. Në kundërshtim me ligjin akterët e përfshirë kanë lidhur kontratën e cila jep në shfrytëzim pronën e MD dhe SHKK ndërsa në këmbim është marrë çmim banal prej 2100 euro në muaj, ndërsa sipas vlerës së tregut çmimi është më i lartë. Kompania ka demolu hotelin Vicinaum dhe objekte të tjera, kemi të bëjmë më ndërmarrja të përbashkët kriminale. Kontrata është nënshkruar nga Nehat Thaçi”, ka thënë Sallahu
Iniciohet shkarkimi i Nehat Thaçit, drejtorit të Shërbimit Korrektues