Takimi i presidentes Vjosa Osmani me ambasadorin e SHBA-së, Jeffrey Hovenier, 25.10.2024, Foto: Presidenca e Republikës së Kosovës
Presidentja Osmani u takua me ambasadorët e SHBA-së dhe të BE-së para vizitës së presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar të premten, më 25.10.2024, ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier dhe atë të Bashkimit Europian në Kosovë, Aivo Orav.
Me ambasadorin Hovenier, presidentja Osmani ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend.
“Duke u nisur nga vizita e fundit e Presidentes Osmani në SHBA, u theksuan mundësitë e bashkëpunimit në fusha të interesit të përbashkët, përfshirë çështjet e sigurisë, zhvillimin ekonomik, investimet amerikane dhe zhvillimin e mëtejshëm të ekosistemit digjital në Kosovë” – njofton Presidenca më 25.10.2024.
Ndërsa, me ambasadorin Orav, presidentja Osmani diskutoi për rëndësinë e vizitës së presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen në Kosovë, më 26.10.2024.
“Pas miratimit të agjendës së reformave të Kosovës nga ana e Komisionit Evropian, Presidentja Osmani vlerësoi se kjo do të ndihmojë Kosovën në zhvillimin socio-ekonomik dhe zhvillimin tutje në përputhje me vlerat dhe objektivat e BE-së. Në takim u diskutuan edhe një sërë temash që lidhen me rrugën evropiane të Kosovës” – ka njoftuar Presidenca.
Sipas njoftimit të Presidencës, presidentja Osmani do ta presë në takim presidenten e Komisionit Europian në ora 09:45.
Presidenca ka njoftuar se pas takimit do të ketë konferencë për media.
Ndërsa, Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se shefi i Qeverisë, Albin Kurti, do ta presë në takim presidenten e KE, Ursula von der Leyen, në ora 11:15.
Presidentja e Komisionit Europian ka qëndruar më 25.10.2024 në Beograd, ku është takuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, me të cilin ka biseduar për rrugën e Serbisë drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Ndërkaq, Ursula von der Leyen e ka anuluar një takim të paraparë për sot me kryeministrin serb, Millosh Vuçeviq.
Arsyeja e anulimit të takimit, sipas zëdhënësit të KE-së, Eric Mamer, i cili ka folur për Radion Evropa e Lirë, ishte një takim që Vuçeviq e mbajti paraprakisht ditën e njëjtë me ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Rusisë, Maksim Reshetnikov.