Albin Kurti dhe Ursula von der Leyen - Foto: ZKM
Presidentja Osmani e kryeministri Kurti presin të shtunën presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti do të presin në takim më 26.10.2024 presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Sipas njoftimit të Presidencës, presidentja Osmani do ta presë në takim presidenten e Komisionit Europian në ora 09:45.
Presidenca ka njoftuar se pas takimit do të ketë konferencë për media.
Ndërsa, Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se shefi i Qeverisë, Albin Kurti, do ta presë në takim presidenten e KE, Ursula von der Leyen, në ora 11:15.
Presidentja e Komisionit Europian ka qëndruar më 25.10.2024 në Beograd, ku është takuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, me të cilin ka biseduar për rrugën e Serbisë drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Ndërkaq, Ursula von der Leyen e ka anuluar një takim të paraparë për sot me kryeministrin serb, Millosh Vuçeviq.
Arsyeja e anulimit të takimit, sipas zëdhënësit të KE-së, Eric Mamer, i cili ka folur për Radion Evropa e Lirë, ishte një takim që Vuçeviq e mbajti paraprakisht ditën e njëjtë me ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Rusisë, Maksim Reshetnikov.