Agim Ramadani. Foto: PRK.

Presidentja Osmani kujton Agim Ramadanin në 24 vjetorin e rënies

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar heroin Agim Ramadani, në 24 vjetorin e rënies.

Në deklaratën e saj, Presidentja Osmani ka thënë se 24-vjet më parë Agim Ramadani u përjetësua në hero, u bë lajmëtar i lirisë bashkë me luftëtarët e UÇK-së, vullneti dhe guximi i të cilëve theu kufirin ndërmjet Kosovës e Shqipërisë.

“Njeriu i penës, brushës e pushkës, është personifikim i lirisë, rrugës deri te ajo, por edhe lavdisë së përhershme. Liria jonë mbanë vulën e Agim Ramadanit dhe heronjve të tjerë, të cilët e përmbushën idealin e brezave, mbrojtën dinjitetin, kthyen shpresën dhe përcaktuan rrugëtimin e shtetit të Kosovës. Përkulemi me respekt para heroizmit të Agimit me bashkëluftëtarë, do t`i kujtojmë përherë dhe do ta përmbushim çdo ditë testamentin e tyre për Republikën!”- ka thënë në deklaratën e saj, Presidentja Osmani.

Agim Ramadani, i njohur edhe me nofkën ‘Katana’, ishte nga Zhegra e Gjilanit. Përveç ushtarak, ai ishte artist e shkrimtar. Studioi në Akademinë Ushtarake në Zagreb. Pas shpërthimit të luftës në Kosovës iu bashkua UÇK-së, ku edhe ishte komandant i Brigadës 138, deri në ditën e rënies së tij, në Koshare në prill të 1999. Pas luftës iu dha titulli Hero i Kosovës.