AKI

Presidentja dhe kryeministri shkelin ligjin, nuk emërojnë drejtorin e AKI-së

Kanë kaluar më shumë se 20 ditë (pune) prej kur Avdullah Hoti dhe Vjosa Osmani e kanë shkarkuar nga pozita e drejtorit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Kreshnik Gashin.

Por, ani se ishin dakorduar lehtë mes vete për shkarkimin e kryespiunit kosovar, njëjtë nuk po bëjnë për emërimin e ri të drejtorit të AKI-së.

Kështu, institucioni më i rëndësishëm i sigurisë në vend ka mbetur pa prirës.

Ligji për AKI-në, neni 5 i tij ku flet për drejtorin e këtij institucioni të sigurisë, thotë që “Presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me Kryeministrin, emërojnë së bashku Drejtorin e AKI brenda njëzet (20) ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”.

Ish-shefi i AKI-së, Kreshnik Gashi, u lirua nga kjo detyrë më 17 dhjetor të vitit të kaluar. Që nga atëherë, kanë kaluar 24 ditë pune, e drejtori i ri nuk u emërua nga kryeministri e presidentja.

AKI aktualisht drejtohet nga zëvendësdrejtoresha, Vlora Hyseni.

Ditë më parë, në media u raportua se, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti propozoi Latif Merovcin për të parin e AKI-së, një ish-zëvendësdrejtor në këtë institucion. Por me këtë propozim nuk u pajtua e para e vendit, Vjosa Osmani.

Një propozim e pati edhe Osmani, por me të nuk u pajtua shefi i ekzekutivit në detyrë të Kosovës, Avdullah Hoti.

“Nuk jemi dakorduar, nuk ka dakordim për emrin dhe personin që duhet të emërohet në pozitën e drejtorit. Nuk ka dakordim nuk po arrijmë që ta zgjedhim drejtorin, duket në këtë mandate qeverisës”, tha ditë më parë Hoti në Klan Kosova.

Kryeministri në detyrë ka dhënë edhe arsyet, pse nuk e ka pranuar një propozim nga Vjosa Osmani.

“Nuk do ta pranoj propozimin e saj, nuk mund të pranoj njerëz, nuk po them anonim, por të papërvojë të nevojshme dhe maturitetin e nevojshëm për të marr përgjegjësitë e tilla, sepse është tepër e ndjeshme kjo pozitë. Është vlerësimi im, unë vlerësoj se, nuk e ka vlerësimin dhe dakordimin tim”, ka deklaruar ai.

Në anën tjetër, Osmani nuk ka treguar se kush është emiri, i cili do ta drejtonte institucionin më të lartë sigurisë.

Këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina për KALLXO.com ditë më parë tha se propozimi do të mbetet konfidencial për shkak të procesit.

“U. d. Presidentja Osmani e ka propozuar një emër për shef të AKI-së. Meqë ky proces duhet të mbetet tërësisht konfidencial nuk mund ta bëjmë publik emrin tash për tash”, kishte deklaruar ai.

Historiku i drejtorëve të AKI-së, Kreshnik Gashi i dyti që u shkarkua nga detyra

www.kallxo.com