Historiku i drejtorëve të AKI-së, Kreshnik Gashi i dyti që u shkarkua nga detyra
Nga viti 2009 e deri më sot janë ndërruar pesë drejtorë të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.
Ani se për punën e AKI-së nuk ka shumë njohuri publiku pasi që bëhet në mënyrë të fshehtë, ky institucion ka qenë disa herë në fokus te mediave ndërsa njihet edhe për disa skandale të brendshme.
Nga pesë shefat që drejtuan Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, asnjëri nga ta nuk kanë përfunduar mandatin në mënyrë të rregullt ashtu siç parashihet edhe me ligjet dhe rregulloret për këtë institucion.
Drejtorin e AKI-së e emërojnë dhe e shkarkojnë në koordinim presidenti dhe kryeministri.
Kreshnik Gashi është i dyti drejtor i AKI-së që është shkarkuar.
I pari që ishte shkarkuar ishte Driton Gashi. Të njëjtin e kishte liruar nga detyra ish-kryeministrit Ramush Haradinaj pas rastit të deportimit të gjashtë shtetasve turq për në Turqi.
Madje Gashi kishte qenë edhe pjesë e grupit që janë intervistuar në lidhje me deportimin siç ishte përmendur i jashtëligjshëm që është bërë ndaj gjashtë shtetasve turq. Agjentët e AKI-së kishin bashkorganizuar deportimin e disa shtetasve turq.
Kreshnik Gashi, i emëruar në nëntor të vitit të kaluar në krye të AKI-së, u shkarkua gjatë ditës së sotme në koordinim mes kryeministrit Avdullah Hotit dhe u.d. presidentes Vjosa Osmani.
Kohëve të fundit është raportuar se një person i cili ishte prezantuar si inspektor i AKI-së kishte tentuar të marrë disa dokumente brenda kasafortës së Presidencës.
Kishte qenë kabineti i u.d. të presidentes Osmani që kishin vërejtur këtë dhe e kishin raportuar në Prokurori Speciale.
Për këtë çështje Gashi ishte thirrur të raportonte para Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së javën e kaluar, ndërsa nuk pati deklarata për media nëse çështja e dyshimeve për hapjen e kasafortës është sqaruar nga ana e Gashit.
Drejtori i parë i kësaj Agjencie ka qenë Bashkim Smakaj. Smakaj ishte emëruar si drejtor i AKI në vitin 2009, për të përfunduar një mandat në krye të institucionit më të lartë për siguri në vend. Por, atë kohë presidentja Atifiete Jahjaga dhe kryeministri Thaçi i patën vazhduar mandatin edhe për pesë vite. Megjithatë, pas një kohe të shkurtër, vetë Smakaj kishte ofruar dorëheqje.
Fatin e njëjtë me drejtorin e parë të AKI e pati edhe pasuesi i tij, Agron Selimaj, që deri në atë kohë kishte pozitën e Inspektorit të Përgjithshëm brenda këtij institucioni. Për më pak se dy vite sa kishte shërbyer në krye të Agjencisë për Inteligjencë, Selimaj kishte njoftuar se dorëhiqet për arsye familjare.
Driton Gashi pasoi Agron Selimajn në pozitën e drejtorit të AKI-së.
Shpend Maxhuni ishte vënë në krye të AKI-së në vitin 2018, pas shkarkimit të Driton Gashit. Emërimi i Maxhunit u bë nga ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish- kryeministri Ramush Haradinaj. I njëjti ishte dorëhequr nga posti i drejtorit në vitin 2019.
Skandalet e AKI-së
AKI, si institucioni më i lartë për siguri në vend, shpesh u bë temë në medie për skandalet, të cilat në shumicën e rasteve edhe u përcollën me dorëheqje e shkarkime.
Në mars të vitit 2018, AKI u përfshi në deportimin e gjatë shtetasve turq. Aksioni rezultoi me së paku dy dorëheqje, të drejtorit të kësaj Agjencie, Driton Gashi dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj. Kjo ngjarje u pat përcjellë me shumë reagime, vendore e ndërkombëtare.
Ndërsa, gjatë shtatorit të vitit 2018, brenda hapësirave të AKI-së ndodhi një vrasje. Një punonjës i sigurimit qëlloi për vdekje një punonjës të kuzhinës brenda objektit.
Në fund të vitit 2018 Prokuroria pati punë edhe me djalin e ish- shefit të AKI-së, Shpend Maxhuni, Shpëtim Maxhuni. Me 12 tetor 2018 ai u ndalua nga Policia e Kosovës për posedim të armës dhe narkotikëve.