Mallra kontrabandë te sekuestruara nga Policia. Foto: PK.

Policia parandalon një rast të kontrabandimit me mallra, sekuestron rreth 300 kilogramë duhan në Viti

Policia ka sekuestruar një sasi prej rreth 300 kilogramësh duhan të gatshëm për treg, në vlerë prej 6 mijë eurove në një shtëpi të pabanuar në Viti.

Duhani i kontrabanduar u zbulua pas veprimeve operative dhe hetimore të Policisë dhe informatave se në atë shtëpi ishin fshehur dhe depozituar mallra që dyshoheshin se janë futur në rrugë ilegale nga Maqedonia e Veriut.

“Pas sigurimit të autorizimit verbal nga prokurori kompetent, është realizuar kontrolli i objektit, ku është sekuestruar: Duhan i përpunuar, i gatshëm për treg, në peshë rreth 300 kg. Vlera e përafërt e mallrave të sekuestruara vlerësohet të jetë rreth 6,000 euro, ndërsa shmangiet nga obligimet doganore dhe akciza llogariten rreth 12,000 euro”- thuhet në njoftimin e Policisë, më 01.06.2026.

Sipas Policisë, mallrat e sekuestruara i janë dorëzuar Doganës së Kosovës për procedura të mëtejshme ligjore.