Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Policia: Gjobat e trafikut nga 3 prilli dërgohen në adresë të pronarit të automjetit

Policia e Kosovës ka njoftuar se nga data 03.04.2025 do të fillojë që gjobat e trafikut për kundërvajtjet e identifikuara përmes kamerave dhe radarëve t’i dërgojë në adresë të pronarit të automjetit.

Përmes një komunikate për media, Policia njoftoi se dërgimi i gjobave do të bëhet përmes Postës së Kosovës dhe platformës elektronike E-Kosova.

Në rast se pronari i automjetit i cili do ta pranojë gjobën në momentin e kundërvajtjes nuk ka qenë duke e drejtuar veturën, sipas Policisë, detyrohet të sigurojë të dhënat e shoferit.

“Mosdorëzimi i këtyre të dhënave sjell masa ligjore për personat fizik dhe juridik – sipas Nenit 254 të Ligjit Nr. 08/L-186.” – tha Policia përmes komunikatës për media.

Ndërkohë, Policia ka njoftuar edhe për disa lehtësira për qytetarët.

“Përfitoni -50% zbritje në pagesë, nëse e paguani brenda afatit ligjor! Keni të drejtën e Ankesës nëse nuk pajtoheni me gjobën.” – njoftoi Policia.

Mes të tjerash, Policia kërkoi nga qytetarët se nëse e kanë shitur automjetin t’i njoftojnë autoritetet dhe ta transferojnë pronësinë, për të shmangur gjobat dhe shqetësimet e panevojshme.