Akil Gjakova, Foto:Facebook

Policia autorizohet për arrestimin e xhudistit Akil Gjakova, dyshohet për dhunë në familje

Prokuroria e Pejës ka autorizuar Policinë e Kosovës për të arrestuar xhudistin Akil Gjakova, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj gruas së tij.

Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi konfirmoi për KALLXO.com se prokurorja e rastit, Lumturie Hoxha fillimisht ka pranuar një procesverbal nga Gjykata për një kontest civil mes palëve, ku është konstatuar se në një rast ka elemente të veprës penale “dhunë në familje”.

Sipas Nikçit, prokurorja është njoftuar edhe nga avokatja e të dëmtuarës, e cila ka prezantuar edhe disa fotografi.

“Me t’u pranuar informata fillimisht nga procesverbali dhe njëkohësisht nga avokatja e të dëmtuarës ku janë prezantuar faktet për elemente të veprës penale të dhunës në familje, atëherë prokurorja menjëherë e ka autorizuar policinë për t’u siguruar viktima dhe të merren masat ligjore ndaj të pandehurit” – tha Nikçi.

Ai shtoi se policia është ende në kërkim të xhudistit Akil Gjakova.

Ndërkaq, avokati i Akil Gjakovës, Gëzim Baloku, i kontaktuar nga KALLXO.com ka mohuar akuzat, duke thënë se “Akilin e njeh, ai nuk ka qenë kurrë i dhunshëm”.

“Këta që 7 muaj janë nda, çka i ka ra në mend tash asaj. Këtë periudhë 7 mujore s’ka pas asgjë mes tyre, janë në procedurë divorci, por sigurisht që ka me ia prish karrierën. S’po ka çka me i bo tjetër” – tha Baloku.

Baloku ka shtuar se ndohdhet jashtë Kosovës dhe “nuk e di” nëse Gjakova është arrestuar deri më tani.

Akil Gjakova, 28-vjeçar është fitues i disa medaljeve të arta, të bronzta e të argjendta nëpër gara europiane e botërore të xhudos.