Ilustrim

Tri raste të dhunës në familje të raportuara në Polici në një ditë

Tri raste të dhunës në familje janë raportuar të dielën, më 21.04.2024 në Policinë e Kosovës.

Një prej të dyshuarve është në kërkim, njëri është liruar në procedurë të rregullt e tjetri është dërguar në mbajtje.

“Më datën 21.04.2024 ankuesja femër kosovare ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar” – thuhet në raportin e policisë.

Sipas raportit, rasti ndonëse i raportuar të dielën, ka ndodhur të premten, më 19.04.2024 në Prishtinë.

Viktima ka refuzuar trajtimin mjekësor, ndërsa i dyshuari gjendet në kërkim policor.

Një grua tjetër ka raportuar se dy burra, pjesëtarë të familjes së saj i kanë shkaktuar dhunë psikike në vazhdimësi.

Ajo ka pranuar trajtim mjekësor në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë e më pas është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtejmë.

Prokuroria ka vendosur që pas intervistimit të palëve, ata të lirohen dhe rasti të vazhdojë në procedurë të rregullt.

Ndërkaq në Gjakovë, një burrë është arrestuar pasi që siç thotë policia, ai dyshohet se ka shkaktuar dhunë ndaj viktimave kosovare.