Teatri "Avdush Hasani" në Podujevë

Podujevë, nesër jepet shfaqja ‘Dashnorët vdesin duke qeshur’

Shfaqja “Dashnorët vdesin duke qeshur”, me tekst të Osman Gorancit e regji të Ben Apollonit do jepet premirë nesër, (04 tetor 2023) në ora 20:00 në Teatrin “Avdush Hasani” në Podujevë.

Drejtoresha e Teatrit të Qytetit të Podujevës, “Avdush Hasani”, Elhame Kutllovci ka thënë në një prononcim për KALLXO.com se kjo është punuar me trupën artistike të teatrit si dhe bashkëpunëtorë të jashtëm.

Shfaqja rrëfen historinë e një gruaja e cila ‘tradhtohet’ nga miqtë dhe ndjenjat, duke e kthyer këtë natë funebre në e festë beqarie me moton “I gjalli me të gjallët, hiri me hi”.

Drejtoresha Kutllovici ka thënë se, pas premierës dhe reprizave kjo komedi do të shfaqet në Festivalin e komedinë në Mitrovivë dhe në “Ditët e Komedisë Shqiptare” në Preshevë.

“Planifikojmë të kemi repriza brenda Teatrit ‘Avdush Hasani” si dhe në teatrot e tjera. Menjëherë pas premierës, reprizën e parë do ta kemi në Festivalin Tradicional të Komedisë në Mitrovicë më datë 5 tetor, pastaj brenda tetorit do të kemi edhe repriza të tjera në Podujevë, si dhe në fund të muajit tetor më 29 tetor do të jemi mysafir në Festivalin ‘Ditët e Komedisë’ Shqiptare” në Preshevë”- ka thënë ajo.

Në këtë shfaqje luajnë: Ryva Kajtazi, Muhamet Zeka, Valire Haxhijaj Zeneli, Sindi Çitaku Azemi, Gani Morina, Yzeir Meha.

Komedia “Dashnorët vdesin duke qeshur” është premiera e tretë për këtë vit e realizuar nga Teatri “Avdush Hasani”. Drejtoresha Kutllovci ka thënë se deri në fund vit ky teatër planifikon të realizojë edhe katër premiera.

Sipas saj, në fund të muajit tetor do të fillojnë me prova për shfaqjen e re për fëmijë.

“Jemi duke punuar paralelisht si me skenën e mbrëmjes ashtu dhe me skenën për fëmijë, sepse këtij teatri i kanë munguar shfaqjet për fëmijë dhe entuziazmi i tyre u pa në dhjetor të vitit të kaluar, ku Teatri ‘Avdush Hasani’ organizojë shfaqje për fëmijë dhe për një javë shfaqjen e vizituan afro 6 mijë fëmijë llapjanë”- ka thënë Elhame Kutllovci, drejtoreshë e Teatrit të Podujevës.

Ajo ka thënë se Teatri i Podujevës vitin 2023 do ta mbyllë me katër premiera, dy premiera për skenën e fëmijëve dhe dy premiera për skenën e mbrëmjes.