Komedia 'Gugle Love' shfaqet për Ditën Ndërkombëtare të Romëve në Prizren

Teatri Rom “Nexhip Menekshe” në Prizren do të shfaqë premierën e komedisë “Gugle Love” (Funny Money) për Ditën Ndërkombëtare të Romëve, 8 Prillin.

Komedia “Gugle Love” me autor Ray Cooney dhe e regjisor Deniz Dadale, do të jepet premierë më 7 prill 2024 në Kinema “Lumbardhi” në Prizren, duke filluar në orën 21:00, ndërsa repriza më 8 prill 2024, në të njëjtin vend dhe kohë.

Shfaqja do të jepet në gjuhën rome.

“Teatri Rom ‘Nexhip Menekshe’ në Prizren, si Teatër i vetëm dhe unik në Kosovë i romëve, do të prezantojë për herë të parë në gjuhën rome komedinë ‘Gugle Love’, si një shenjë nderimi për Ditën Ndërkombëtare të Romëve më 8 prill”- thuhet në njoftimin e Teatrit “Nexhip Menekshe”.

Komedia, sipas njoftimit, është një rrëfim i aventurave të Henry Perkins, një personazh që përjeton ngjarje të papritura pasi gjen një çantë të mbushur me para në një situatë të çuditshme në metro.

Duke filluar nga ky moment, ai niset në një udhëtim humoristik që premton të mbush sallën me të qeshura dhe emocione të papritura.