Akademia për Adriana Abdullahun. Foto: KALLXO.com.
Aktorja Adriana Abdullahu kujtohet në 25-vjetorin e vrasjes
Në 25-vjetorin e vrasjes së aktores Adriana Abdullahu nga forcat serbe, Zyra e Kryeministrit të Kosovës dhe Teatri Kombëtar i Kosovës, kanë organizuar të premten, më 22.03.2024, një akademi përkujtimore.
Aktorja Adriana Abdullahu u vra më 22.03.1999 nga një breshri automatiku nga forcat serbe deri sa po qëndronte në një prej kafiterive të Prishtinës.
Gjatë kësaj akademie, aktorja Abdullahu është kujtuar nga miq e kolegë të saj si një aktore profesioniste, me talent të rrallë dhe përkushtim.
Kryeministri Albin Kurti tha se ajo u vra nga ata që u pengonte liria, madje edhe arti dhe artistët e Kosovës.
“Magjia e Adrianës jeton mes nesh, ajo quhet ‘Engjëlli i Dodonës’ e teatri i qytetit të saj, Ferizajt, quhet ‘Teatri Adriana’, sepse një shpirt si ai i Adrianës nuk mund të shuhet. Atë nuk e bën dot koha, nuk e lejon shoqëria, nuk e mundëson vepra dhe përvoja e saj njerëzore. E nuk do ta lëmë as ne, si udhëheqje politike e Republikës së Kosovës”- tha kryeministri Kurti.
Drejtori i TKK-së, Kushtrim Sheremeti, tha gjatë fjalës së tij se Adriana Abdullahu ishte një person me veti të veçanta dhe kolege e mrekullueshme. “Vrasja e saj ishte një dhimbje e madhe për komunitetin artistik” – tha ai, duke e krahasuar ditën e vrasjes së saj me ngjarjet e filmit “Jeta është e bukur” të Roberto Beninit.
Ndërsa, familjarë të Adrianës, motra Drita Abdullahu dhe nipi Uliks Zaimi thanë se ndihen të lumtur me nderimet dhe kujtimin për Adriana Abdullahun dhe për dashurinë e saj për teatrin.
“Adriana deri në frymën e fundit, edhe pse tragjikisht, jetoi shumë shkurt, e shijoi magjinë skenës”- tha Drita Abdullahu.
Adriana Abdullahu ka lindur më 1976 në Shkup, është rritur në Ferizaj, ku ka mbaruar shkollën fillore dhe të mesme. Studimet për aktrim i përfundoi në Prishtinë. Luajti në shumë role në Teatrin “Dodona” në Prishtinë. Ajo u vra nga një polic serb më 22.03.1999 tek sa qëndronte me profesorë dhe kolegë të saj në një kafiteri të Prishtinës.