Pamje nga shfaqja '1984'. Foto: MKRS.

Gjendja e teatrit në Kosovë në Ditën Botërore të Teatrit

Me objekt të mbyllur të Teatrit Kombëtar (TKK), gjendje të keqe e trajtim aspak të dinjitetshëm për artistët, e ka gjetur artin skenik në Kosovë 27 marsi – Dita Botërore e Teatrit.

Çdo vit, më 27 mars, në mbarë botën me aktivitete të ndryshme shënohet Dita e Teatrit.

Qëllimi i kësaj dite është të promovojë teatrin në dimension botëror dhe të vetedijësojë publikun rreth vlerës dhe rëndësisë së tij.

Megjithatë, skena teatrore kosovare mbetet larg qëllimeve që synon kjo ditë.

Artistët skenikë thonë për KALLXO.com se Dita Botërore e Teatrit edhe këtë vit teatrin kosovar nuk e gjen mirë.

Sipas tyre, edhe njerëzit e teatrit; aktorët, regjisorët e dramaturgët nuk marrin vlerësimin e duhur. Ndërsa, thonë ata, bie në sy hapësira e vogël që u jepet për inskenim teksteve dramatike të autorëve vendorë.

Ben Apolloni, regjisor, ka thënë për KALLXO.com se teatri është i rëndësishëm çdo ditë, andaj edhe shënimi i kësaj dite ka rëndësinë e saj.

Apolloni thotë se teatri në Kosovë nuk është në gjendjen e tij më të mirë.

“Për fat të keq Dita Botërore e Teatrit edhe këtë vit teatrin tonë nuk e gjen mirë. Gjendja jo e mirë e teatrit të Kosovës është bërë tradicionale. Nuk çmohet aktori, por as regjisori, dramaturgu dhe artistët e tjerë të teatrit”- ka thënë ai.

Inskenimi i paktë i teksteve shqip

Dramaturgia Albana Muja thotë për KALXO.com se përmes shënimit të kësaj dite del në pah rëndësia që ka teatri, pavarësisht, siç ka thënë ajo, se kjo ditë nuk e gjen teatrin në Kosovë në formën më të mirë.

“Dita Botërore e Teatrit nuk e gjen në formën më të mirë skenën teatrore kosovare. ‘Ku dhemb dhëmbi shkon dhe gjuha’. Unë po dua ta theksoj numrin e vogël të autorëve shqiptarë apo të teksteve shqip të inskenuara nëpër teatrot tona, duke kujtuar numrin e dramaturgëve të diplomuar e të shumë artistëve të lirë që krijojnë dhe shkruajnë dramën shqipe, skena kosovare u jep shumë pak hapësirë”- ka thënë ajo.

Sipas saj, nuk vlerësohet e as nuk çmohet mjaftueshëm kontributi i aktorëve që krijuan historinë e TKK-së.

“Do të doja të jetoja në një kohë ku çmohet dhe paguhet dinjitetshëm puna e çdo artisti kosovar” – ka thënë ajo.

Kurse, Naim Berisha, aktor, ka thënë se qëllimi i Ditës Botërore të Teatrit është vetëdijesimi i publikut rreth vlerës dhe rëndësisë së teatrit.

Ai ka veçuar trajtimin aspakt të mirë që ka sot një akor i teatrit në Kosovë.

“Kjo ditë është epiqendra e promovimit  dhe vetëreflektimit edhe sa i takon trajtimit të artistëve të teatrit e veçmas aktorëve si shtyllë qendrore e këtij institucioni. Sa i takon trajtimit të aktorëve sidomos në vendin tonë, kjo ditë na gjen në një momentum aspak të kënaqshëm, ku një pjesë e kësaj kategorie është e diskriminuar skajshëm, si në pagë ashtu edhe në angazhim”- ka thënë ai.

Dita e Teatrit

Dita Botërore e Teatrit, 27 marsi, shënohet që nga viti 1962.

Caktimi i kësaj dite si Dita e Teatrit është iniciuar në Kongresin e 9-të botëror të Institutit Ndërkombëtar Teatrot (INT) të UNESCO-s në qershor të vitit 1961, me propozim të Finlandës.

Për të shënuar këtë ditë organizohen ngjarje të ndryshme teatrore kombëtare dhe ndërkombëtare.

Shënimi  i kësaj dite nis me një mesazh të shkruar nga ndonjë prej figurave botërore të teatrit, me temë për teatrin përcjellë me mesazhe paqeje.

Këtë vit, mesazh për Ditën e Teatrit është shkruar nga Jon Fosse, fitues i Çmimit Nobel për letërsi për vitin 2023.