Planifikimi i dyshuar për vrasjen e Valdet Zekajt në Pejë, ekstradohet nga Shqipëria në Kosovë Skender Driza

Planifikimi i dyshuar për vrasjen e Valdet Zekajt në vitin 2014 ktheu sërish në vëmendje rastin pasi që gjatë ditës së sotme, 11.04.2024, autoritetet e Shqipërisë kanë ekstraduar në Kosovë Skender Drizën.

Ndaj Drizës nga Prokuroria e Pejës është kërkuar masa e sigurisë – paraburgimi.

“Gjate ditës së sotme është mbajtur seanca e caktuar nga Gjykata Themelore në Pejë. Gjatë seancës prokurori i shtetit ka propozuar masën e paraburgimit”- tha për KALLXO.com zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

Në vitin 2015, KALLXO.com pati raportuar se Gjykata Themelore e Pejës kishte liruar në atë kohë të akuzuarit Bajram Gashi dhe dy shtetasit shqiptarë, Skender Driza e Nexhat Mlloja, të cilët akuzoheshin për marrëveshje për të kryer vrasje dhe për armëmbajtje pa leje.

Ata akuzoheshin nga Prokuroria e Pejës se në fillim të vitit 2014 kishin planifikuar vrasjen e Valdet Zekajt pas një konflikti që ky i fundit kishte pasur me Bajram Gashin.

Të akuzuarit Gashi, Driza dhe Mlloja kishin mohuar kategorikisht veprën penale me të cilën ngarkoheshin.

Në anën tjetër, siç mëson KALLXO.com, rasti ishte kthyer në rigjykim për të njëjtat vepra penale ndërsa nuk ishte arritur që të sigurohej prezenca e Drizajt në rigjykim.

Ai sot është ekstraduar nga organet e rendit të Shqipërisë për t’u përballur me akuzat për planifikim të vrasjes së Valdet Zekajt.