Tre të Akuzuarit Për Planifikim të Vrasjes Dalin Para Gjyqit

Të premten në Gjykatën Themelore të Pejës u mbajt shqyrtim gjyqësor ndaj të akuzuarve Bajram Gashi, Skender Driza dhe Nexhat Mlloja të akuzuar nga Prokuroria Themelore e Pejës për veprat penale të marrëveshjes për të kryer vrasje dhe atë të mbajtjes në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Gjatë këtij shqyrtimi, gjykata procedoi të dëmtuarin Valdet Zeka në cilësinë e dëshmitarit, Xhafer Zemajn dhe Naim Hajzerajn.

Gashi, Driza e Mlloja akuzohen se në fillim të vitit 2014 janë marrë vesh dhe kanë planifikuar vrasjen e Valdet Zekajt për shkak të një konflikti të mëhershëm ndërmjet tij dhe Bajram Gashit, planifikim që fatmirësisht nuk u realizua.

I dëmtuari Zeka gjatë dëshmisë së tij tha se mosmarrëveshja kishte filluar rreth një lokali për të cilin i akuzuari Bajram Gashi kishte aplikuar për privatizim.

Gjatë dëshmisë së Zekës kishte mjaft tensione pasi që ai shpesh iu drejtua të akuzuarve me fjalë fyese.

Ai edhe trupin gjykues e etiketoi si “njerëz të korruptuar”.

Xhafer Zemaj, njëri nga dëshmitarët e këtij rasti deklaroi se me të akuzuarin Nexhat Mlloja njiheshin pasi që kishte qenë klient në picerinë e tij dhe nga i njëjti kishte kuptuar që është duke u përgatitur vrasja ndaj Valdet Zekës.

Dëshmitar në këtë rast ishte edhe Naim Hajzeraj, daja i të dëmtuarit Valdet Zeka, i cili në dëshminë e tij theksoi se e kishte kuptuar nga  Nexhat Mlloja se i akuzuari Skender Driza i kishte thënë këtij të fundit se Bajram Gashi kishte angazhuar 3 persona për vrasjen e Valdet Zekës.

Sipas tij, njëri nga të angazhuarit për vrasje ishte pjesëtar i forcave speciale RENEA, të Policisë së Republikës së Shqipërisë.

Seanca e radhës do të mbahet më  09 mars.