PDK nuk merr pjesë në votim të pikave të tjera në Kuvend, seanca shtyhet për të premten

Deputetja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka deklaruar se edhe pse janë prezentë deputetët e PDK-së nuk do të marrin pjesë në votim të pikave të tjera të rendit të ditës.

Ajo ka sqaruar se në Kuvend po debatohej për orë të tëra në lidhje me vendimin e ZRrE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike por prezent nuk është asnjë ministër dhe asnjë përfaqësues i Qeverisë.

“Grupi parlamentar i Partisë Demokratikë të Kosovës edhe pse është këtu, nuk do të marrë pjesë në votime tjera sepse është fyerje për deputetët e Kuvendit pasi po debatohet për mbi 10 orë në këtë Kuvend dhe nuk  e kemi prezent asnjë ministër dhe asnjë përfaqësues të Qeverisë. Po deklarohem publikisht që ne nuk do të marrim pjesë në votime, këtu jemi por nuk do të marrim pjesë. Ju vendosni a doni me vazhdu”, ka thënë Musliu.

Tutje ajo tha se votuan Ligjin për ndihmë juridike falas sepse u thirrën në emër të qytetarëve, por të njëjtën gjë nuk e bëri Lëvizja Vetëvendosje, pasi këta të fundit nuk morën pjesë në votim.

“Votuam Ligjin për ndihmë juridike falas pse u thirr në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe nevojave të tyre. Para pak kohe mbyllëm një seancë dhe pikërisht problemet e nevojat e qytetarëve i trajtuam, ku grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk mori pjesë në votim”, ka shtuar ajo.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, deklaroi se seanca shtyhet për të premten në ora 11:00.

“Nëse është ky pozicionim neve na bëhet objektivisht e pamundur me sa po e shoh. Vazhdojmë të premten në ora 11:00”, ka shtuar Konjufca.

Kuvendi ka miratuar Ligjin për ndihmë juridike falas, edhe pse amendamenti i tretë i këtij Ligji kaloi me 57 vota për dhe pesë kundër.

Në mungesë të votave ka dështuar të miratohet sot rezoluta e paraqitur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e mbështetur edhe nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Votimi i kësaj rezolute është shtyrë për një seancë tjetër.

“Vetëm 30 deputetë kanë marrë pjesë në votim, nuk ka kushte për vendimmarrje, kjo pikë shtyhet për një seancë tjetër”, ka thënë nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.