Dështon të miratohet rezoluta e partive opozitare kundër vendimit të ZRrE-së

Në mungesë të votave ka dështuar të miratohet sot rezoluta e paraqitur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e mbështetur edhe nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Votimi i kësaj rezolute është shtyrë për një seancë tjetër.

“Vetëm 30 deputetë kanë marrë pjesë në votim, nuk ka kushte për vendim marrje, kjo pikë shtyhet për një seancë tjetër”, ka thënë Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri paraqiti rezolutën dhe tha se në një situatë të rënduar socio-ekonomike shtrenjtimi i energjisë elektrike është I pa përballueshëm për shumicën e familjeve në vendin tonë.

Rezoluta përmban këto pika:

  1. Vendimi i ZRrE-së për ngritjen e çmimit të energjisë të anulohet sa më parë
  2. Kuvendi i Kosovës të inicoi shkarkimin e Bordit të ZRrE-së për mungesë profesionalizmi
  3. Qeveria të subvencionoi çmimin e energjisë elektrike linearisht për të gjithë qytetarët dhe bizneset
  4. Qeveria të heq TVSH për energjinë elektrike deri në përfundim të krizës energjetike
  5. Qeveria të angazhohet për themelimin e fondit për konsumatorët në nevojë ashtu siq e obligon ligji për energjinë
  6. Të nisin konsultimet për tarifat e reja që duhet të jenë pjesë e strategjisë që duhet të jenë pjesë e strategjisë afatgjate të energjisë, ndërtimit të kapaciteteve dhe stabilitetit të furnizimit.

Tri partitë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë mbledhur sot 40 nënshkrime për mbajtjen e një seancë të jashtëzakonshme, debat parlamentar lidhur me vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji, për shtrenjtimin e rrymës.

Zyra e Rregullatorit ka vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovat është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.

Po ashtu, bordi i ZRrE-së ka vendosur që blloqet do të vlejnë vetëm për konsumatorët shtëpiakë ndërsa për ata komercialë (bizneset) nuk do të ketë.