PDK kritikon qeverinë Hoti: Dështoi me arsimin gjatë pandemisë, skandaloz vendimi për 1 muaj pushim dimëror

Partia Demokratike e Kosovës ka adresuar kritika në drejtim të Qeverisë të cilës i prin Avdullah Hoti.

Sipas anëtarit të kryesisë së PDK-së, Muzafer Shala, ekzekutivi kosovar gaboi kur vendosi për një muaj pushim për nxënësit. Tutje ai kritikoj edhe mësimin gjatë pandemisë.

“Kosova sot përballet me një situatë të patolerushme të keq-menaxhimit të procesit mësimor nga ana e qeverisë Hoti, e veçanërisht Ministria e Arsimit. Ky institucion është aq jo kredibil, jo aktiv, dhe jo profesional dhe aspak kompetent, sa që për shumë gjenerata asocon me zhvillimin e procesit mësimor në kohën e luftës, pasojat e të cilit i kemi evident edhe sot si efekt i mosarritjes së rezultateve të pritura!”, tha para mediave të hënën Shala.

Sipas tij. Qeveria Hoti e menaxhon arsimin sot për nesër.

“Prandaj, i bëjmë thirrje Qeverisë Hoti që ta kthej sa më parë fokusin tek sigurimi i cilësisë në arsim, shëndeti i nxënësve dhe mësimdhënëse dhe t’i minimizoj efektet negative që mund t’i vuajmë në 10-20 vitet e ardhshme!”, tha ai.

Ai kërkoi që Qeveria t’i bëj përgatitjet e nevojshme për mësimin në distancë ndërsa propozoj edhe disa pika që të zbatohen në këtë fazë.

Planin nacional për digjitalizimin e shkollave duke përfshirë edhe literaturën dhe modelin e mësimdhënies në këtë formë si dhe pajisjen e të gjithë nxnënësve (330,000 në total) dhe 23,000 mësimdhënësve me llaptop e jo me tablet siç po flitet tani;

Të vendosin urgjentisht mekanizma konkret për sigurimin e cilësisë në kohë pandemie;

Përgatitjen e protokolleve për modelet e mësimdhënies në kushtet te pandemisë, dhe

Përgatitjen e manualeve për procesin mësimor për Mësimdhënës, Nxënës dhe Prindër në këto kushte pandemie.