Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoxhaj propozon që Kuvendi i Kosovës të miratojë rezolutën e OKB-së për përkujtimin e gjenocidit në Srebrenicë

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka propozuar që në ditën kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara aprovon rezolutën për “Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë”, të njëjtën rezolutë ta mbështesë edhe Kuvendi i Kosovës.

Ai ka thënë se këtë propozim e ka bërë në mbledhje të Kryesisë më 22.04.2024.

Sipas Hoxhajt, kjo është mënyra më e mirë për Kosovën që t’i bashkohet botës demokratike në dënimin dhe përkujtimin e gjenocidit në Srebrenicë.

“Ballafaqimi me të kaluarën është më se i nevojshëm dhe politika gjenocidale dhe serbomadhe e Beogradit ndaj Kosovës, Bosnjës dhe Kroacisë, duhet të ndëshkohet dhe përkujtohet, me qëllim që ajo kurrë të mos rikthehet në rajon”- ka shkruar ai.

Në Kombet e Bashkuara është diskutuar një rezolutë për ta shpallur 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pritet ta votojë në fillim të majit këtë draft-rezolutë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha javën e kaluar se Serbia do të luftojë kundër miratimit të kësaj rezolute në OKB, e cila sipas tij, do t’i fajësonte serbët.

Organizatat e të drejtave të njeriut nga Serbia i kanë bërë thirrje Qeverisë dhe presidentit Aleksandar Vuçiq që të mbështesë shpalljen e 11 korrikut si “Dita Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Kujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës”.

Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli gjenocid krimin në Srebrenicë, në të cilin u vranë më shumë se 8,000 burra dhe djem boshnjakë më 1995 nga Ushtria e Republikës Sërpska.

Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.