PDK: Është i papranueshëm paralajmërimi i BE-së për udhërrëfyes shtesë për liberalizim
Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica ka deklaruar se paralajmërimi i komisionerit të BE-së për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Verhelyi për një udhërrëfyes shtesë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është i papranueshëm.
Këtë e tha deputeti Reçica në Kuvendin e Kosovës ku po zhvillohet debat parlamentar në lidhje me mosliberalizimin e vizave nga BE për Kosovën.
“Është i papranueshëm dhe nuk është në rregull paralajmërimi i komisionerit të BE-së për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Verhelyi të hënën e 27 qershorit për një udhërrëfyes shtesë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Sigurisht ka qenë një tendencë për kthim mbrapa”, ka deklaruar Reçica.
Reçica ka thënë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret që do të duhet të ja mundësonin Kosovës liberalizimin e vizave.
“Në emër të grupit parlamentar edhe një herë deklaroj se jemi të gatshëm dhe jemi në mbështetje të proceseve sa i përket agjendës evropiane dhe liberalizimit të vizave. Do të duhet e njëjta gjë të ndodhë edhe nga Qeveria e Kosovës konkretisht nga zëvendëskryeministri që është përgjegjës i cili duhet të ketë në konsideratë edhe pjesën e opozitës sepse e dimë që pa bashkëpunim është e pamundur të lëvizim këtë proces të rëndësishëm”, u shpreh Reçica.
Një udhërrëfyes shtesë për liberalizimin e vizave për Kosovën paralajmëroi komisionari i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, në debatin që u zhvillua më 27 qershor të këtij viti në Parlamentin Evropian.
“Në këto kohëra të vështira dhe në kontekstin e ndryshimeve gjeo-politike, prioriteti ynë mbetet Ballkani Perëndimor”, tha Varhelyi.
“Jemi të gatshëm t’i ndihmojmë Kosovës që, së bashku me shtetet anëtare, të vendosim një udhërrëfyes për adresimin e shqetësimeve specifike. Autoritetet e vendeve anëtare, agjencitë e rendit dhe ligjit, forcat e policisë kanë nevojë të angazhohen në terren për t’i ndihmuar Kosovës. Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm t’i japim Kosovës gjithë ndihmën financiare, teknike dhe politike për këtë proces”, shtoi ai.
Në Kuvendin e Kosovës është duke u zhvilluar debat parlamentar në lidhje me mosliberalizimin e vizave nga BE-ja për Kosovën, i iniciuar nga AAK-ja.