PDK dhe LDK: Arrestimi i kryeshefit të KEK-ut - dëshmi e abuzimeve të Qeverisë Kurti me energjinë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se arrestimi i sotëm i kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, (ish-drejtues i komitetit për energji në LVV) është dëshmi e abuzimeve të Qeverisë Kurti në sektorin e energjisë.

“Arrestimi i sotëm i kryeshefit të KEK-ut, ish-drejtuesit të Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje, Nagip Krasniqi, është dëshmia më e mirë e asaj që e kemi thënë për muaj të tërë – se Qeveria Kurti, abuzimet më të mëdha i ka bërë pikërisht në sektorin e energjisë, përmes skemave korruptive dhe keqpërdorimit të pushtetit absolut që e kanë instaluar në këtë sektor”- ka shkruar ai në Facebook.

Krasniqi tutje shton se Kurti duhet të deklarohet për arrestimin e sotëm të bashkëpartiakut të tij për keqpërdorim të miliona eurove.

“Kryeminisitri Kurti duhet të deklarohet menjëherë për arrestimin e sotëm të mikut dhe bashkëpartiakut të tij, sepse sot e ka momentin të flasë për bojlera e filtera, që pretendonte se i kupton mirë e që sot po vërtetohet se në emër të tyre janë keqpërdorur miliona euro nga vartësit e tij”- ka shtuar tutje Krasniqi.

Kryetari i PDK-së thekson se abuzimet e deritanishme në këtë sektor, nga rritja e çmimit, pagesat joligjore për faturat e serbëve në veri- lënë dyshime se janë pjesë e një piramide korruptive të kijuar nga Qeveria Kurti në krye me Martin Berishajn.

“Abuzimet e Qeverisë Kurti me tërë zingjirin e sektorit të energjisë, prej prodhimit e deri te konsumi i saj, nuk janë as të rastësishme dhe as pa dashje. Rritja e çmimit të energjisë elektrike për mbi 100% vitin e kaluar, rritja e dytë për 15% para pak ditësh, pagesa në mënyrë joligjore e mbi 100 milionë eurove për faturat e serbëve në veri, bllokimi i ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese, si dhe shitja e lirë e blerja e shtrenjtë e energjisë – lënë dyshime se janë pjesë e një piramide korruptive të krijuar nga Qeveria Kurti e në krye të së cilës qëndron Ambasadori me aktakuzë i Republikës së Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili është boshti i aferës më të madhe korruptive rajonale të tregtimit të energjisë dhe shpërlarjes së parave”- ka shtuar tutje Kraniqi.

Ai tutje shtoi se pas këtyre fakteve të reja, përkundër dëshmive që i kanë dhënë në komisionin hetimor parlamentar, tani po vërtetohen edhe takimet sekrete që kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi, i arrestuar sot, kishte muaj më parë me ambasadorin Martin Berishaj dhe tregtarë të tjerë të energjisë në Zagreb.

Kryetari i PDK-së ka ftuar Prokurorinë e Kosovës dhe të gjitha organet përgjegjëse që me seriozitetin më të lartë ta procedojnë rastin e sotëm, dhe, një herë e mirë, të gjithë të përfshirët në këto skandale korruptive zinxhirore t’i nxjerrin para drejtësisë.

Lidhur me arrestimin e kryeshefit të KEK-ut Nagip Krasniqi ka reaguar edhe kryetari  i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili tha se duhet të ketë përgjegjësi politike për mafinë energjetike.

Sipas tij, dëshmi e kësaj është vonesa në renovim të bllokut A5 pasi gjatë kohës sa nuk ishte në funksion, Kosova importonte energji.

“Blloku A5 i KEK-ut është jashtë funksionit tash e 10 muaj. Mirëmbajtja e thjeshtë e tij s’do të merrte kohë më shumë se dy muaj. Ishte interes i mafisë energjetike që ky Bllok të mos prodhonte rrymë. Sepse, për aq kohë sa ishte jashtë funksionit, Kosova detyrohej të importonte energji. Vetëm gjatë 11 ditëve të para të prillit, Kosova kishte importuar plot 5.4 milion euro rrymë. Nuk ka një biznes tjetër, ku 5.4 milionë euro mund të gjenerohen për vetëm 11 ditë. Mjaftueshëm për të mbuluar 45 mijë pensione, apo ndërtuar 9 çerdhe për fëmijë – të djegura për vetëm 11 ditë!”- ka shkruar Abdixhiku.

Tutje ai është shprehur se tani shkarkimi është i vonshëm dhe se përgjegjësia politike për vendosjen, mbrojtjen dhe lejimin e përfitimeve milionëshe të mafisë energjetike është domosdoshmëri. Kjo përgjegjësi, sipas tij, ka adresë vetë Qeverinë.

Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, u arrestua sot me urdhër të Prokurorisë Speciale nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës, ushtrimit të ndikimit dhe konflikit të interesit, në të kaluarën ka pasur lidhje me partinë Vetëvendosje, që sot është në pushtet.

Policia e Kosovës ka kryer sot një kontroll në zyrat e Korporatës Energjetike të Kosovës.

Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre kompjuterë, 1 lap-top, 1 celular, një USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme.

Lidhjet e dikurshme me LVV-në të kryeshefit të KEK-ut, i cili u arrestua sot