Lidhjet e dikurshme me LVV-në të kryeshefit të KEK-ut, i cili u arrestua sot

Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili u arrestua sot me urdhër të Prokurorisë Speciale nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës, ushtrimit të ndikimit dhe konflikit të interesit, në të kaluarën ka pasur lidhje me partinë Vetëvendosje, që sot është në pushtet.

Krasniqi ka qenë drejtues i komitetit për energji në LVV, derisa ishte zgjedhur në pozitën e kryeshefit të KEK-ut në prill të vitit 2021.

Krasniqi në krye të kësaj ndërmarrjeje u zgjodh nga bordi i përkohshëm i asaj kohe në KEK përmes një konkursi në të cilin kishin aplikaur 38 kandidatë. Bordi i përkohshëm ishte emëruar nga Qeveria Kurti, pa konkurs publik.

Bordi i përbërë nga drejtorët Rrezarta Pllana, Merita Kasapolli, Arbnor Pula dhe Bezad Halilaj e kishin vlerësuar me 37 pikë nga 40 të mundshmet Nagip Krasniqin.

Atë kohë Nagip Krasniqi ishte më i poentuari edhe sipas ekspertëve britanikë të kompanisë BDO, të cilët janë kontraktuar nga Ambasada britanike për t’u ofruar asistencë institucioneve të Kosovës në rekrutim të pozitave të larta drejtuese.

Krasniqi në të kaluarën ishte parë në disa takime me drejtues të lartë të LVV-së që nga koha e Visar Ymerit e deri në takimet së bashku me tashmë zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

“Sot, nënkryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Besnik Bislimi, drejtuesi i Komitetit për Energji, z. Nagip Krasniqi dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, z. Kreshnik Ahmeti pritën në takim një delegacion të nivelit të lartë nga Millennium Challenge Corporation (MÇ), të kryesuar nga drejtorja menaxhuese e MCC për Evropë, Azi, Pacifik dhe Amerikë Latine, znj. Caroline T. Nguyen” – thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes të publikuar më 30 tetor 2019.

Komiteti për energji sipas statutit të Lëvizjes Vetëvendosje është organ këshillues i partisë.

I pyetur nga KALLXO.com në vitin 2021 nëse është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje apo nëse është paguar për këshillat e ofruara, Krasniqi ishte shprehur se as nuk është anëtar e as nuk ishte paguar për punën në LVV.

“Nuk jam pagu dhe nuk jam anëtar i Lëvizjes dhe asnjëherë nuk kam qenë formalisht anëtar” – kishte deklaruar Krasniqi.

“Komitetin e kam udhëhequr para dy viteve, por nuk është pozitë udhëheqëse formale brenda partisë, por është trupë  ku marrin pjesë ekspertë të ndryshëm brenda ose jashtë partisë i cili ka rol këshillëdhënës” – kishte shtuar tutje ai.

Ndërkaq sipas nenit 17 pika K e Ligjit për ndërmarrje publike personat të cilët kanë qenë të zgjedhur publikë, emëruar politikë apo kanë mbajtur pozita udhëheqëse ose vendimmarrëse në parti politike gjatë 36 muajve të fundit nuk mund të udhëheqin me ndërmarrjet publike.

Policia e Kosovës ka kryer sot një kontroll në zyrat e Korporatës Energjetike të Kosovës.

Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre kompjuterë, 1 lap-top, 1 celular, një USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme.

 

Arrestohet kryeshefi i KEK-ut, dyshohet për tri vepra penale