Paralajmërimi për shtrenjtimin e rrymës, LDK fajëson Qeverinë dhe pretendon se po e përdor ZRRE-në si instrument

Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur indinjatën e thellë dhe kundërshtimin e pakompromis ndaj paralajmërimit të fundit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për rritjen për 15% të çmimit të energjisë elektrike. 

Përmes reagimit të saj për këtë çështje, LDK ka fajësuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.

“Kjo përbën rritjen e tretë të çmimeve gjatë mandatit të kësaj Qeverie, e cila ka dëshmuar paaftësi të theksuar në menaxhimin e sektorit energjetik dhe në mbrojtjen e interesit publik. Ky vendim i papranueshëm është dëshmi e qartë e mungesës së ndjeshmërisë sociale dhe politike të këtij pushteti, i cili në vend të ndihmës për qytetarët, po i godet ata sistematikisht me rritje të kostos së jetesës” – thuhet në reagimin e LDK-së më 28.03.2025.

Sipas LDK-së, në katër vitet e fundit, qytetarët e Kosovës janë përballur me inflacion të lartë, me ngritje çmimesh në të gjithë sektorët jetikë, ndërkohë që pagat kanë stagnuar dhe fuqia blerëse është rrënuar.

“Rritja e fundit e çmimit të energjisë elektrike është jo vetëm e padrejtë dhe e pajustifikueshme, por dhe e dëmshme për interesin e përgjithshëm. Për më tepër, kjo Qeveri po e përdor ZRrE-në si instrument për t’ua imponuar qytetarëve koston e dështimeve të saj qeverisëse dhe mungesës së vizionit për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik” – ka thënë LDK.

Kjo parti e konsideron rritjen e çmimit të energjisë elektrike si “goditje të drejtpërdrejtë ndaj standardit jetësor të qytetarëve”.

“I bëjmë thirrje ZRrE-së që të mos bëhet vegël e politikave të gabuara të pushtetit dhe të rikthehet në funksionin e saj të vërtetë: mbrojtjen e konsumatorit dhe garantimin e një tregu të drejtë dhe transparent të energjisë. Kosova meriton një qeverisje kompetente dhe me vizion, jo një pushtet që e trajton popullin si barrë. LDK do të vazhdojë të jetë zë i fuqishëm në mbrojtje të interesit qytetar dhe do të kundërshtojë me të gjitha mjetet demokratike çdo politikë që rëndon padrejtësisht mbi ta” – kanë theksuar nga LDK.

Ndaj paralajmërimit për shtrenjtimin e rrymës të premten kanë reaguar 9 organizata të shoqërisë civile, të cilat përmes një deklarate të përbashkët i kanë bërë thirrje ZRRE-së ta pezullojë rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Para tyre, rritjen e çmimit të energjisë elektrike e ka kundërshtuar edhe Presidenca e Kosovës.

Presidenca ka dalë me një varg vërejtjesh dhe masave të menjëhershme që duhet të ndërmerren për të parandaluar rritjen e çmimit të energjisë elektrike, pasi që ka analizuar raportet konsultative për përshtatjen e të Hyrave Maksimale të Lejuara të operatorëve energjetikë dhe tashmë ka dorëzuar komentet e saj tek ZRRE.

Masat i ka ndarë në të menjëhershme, afatmesme dhe afatgjata.

Masat e menjërshme që janë propozuar nga Presidenca janë mirëmenaxhimi i shpenzimeve dhe humbjeve, subvencioni i energjisë, identifikimi i masave shtesë për obligimin e pagesës së faturave mujore në katër komunat veriore, largimi ose reduktimi i përkohshëm i TVSH-së për energjinë elektrike dhe diizajnimi dhe prezantimi i programit të shtyrjes së pagesave.

Sipas Presidencës, ZRrE-ja duhet të insistojë për një dialog me Qeverinë për ta shqyrtuar mundësinë e subvencionimit të energjisë për konsumatorët, veçanërisht për ata që janë më të prekur nga rritja e çmimeve. 

Kurse për masën e dytë, Presidenca ka ardhur në përfundime se largimi i TVSH-së se një masë e tillë do të kontribuonte në menaxhimin e situatës dhe do të ndihmonte në shmangien e rritjes së çmimit të energjisë elektrike. 

“Nëse largimi i plotë i TVSH-së për një periudhë të caktuar do të ishte sfiudes, mund të shqyrtohet reduktimi i TVSH-së për një periudhe te caktuar”- thuhet në propozime mes tjash. 

Masat afatmesme janë: menaxhimi efikas i KEK-ut dhe planifikimi i burimeve energjetike,  rritja e efikasitetit të furnizimit me energji dhe vazhdimi i programeve të efiçiencës së energjisë për konsumatorët.

Kurse, masat afatgjata janë ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë elektrike në vend dhe marrëveshjet për tregtinë ndërkufitare të energjisë me shtete aleate.

“Presidenca inkurajon ZRrE-në që t’i trajtojë me seriozitet këto komente, komentet e qytetarëve dhe organizatave të cilat merren me mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit, përpara se të marrë një vendim përfundimtar”- thuhet në fund të propozimeve.

Në vazhdë të një rritjeje potenciale, sipas Presidencës, rritja e tarifave nuk mund të bëhet si një proces i izoluar, por duhet të marrë parasysh kontekstin zhvillimor dhe aspektin e mirëqenies në vend. 

“Kjo kërkon një analizë të mirëfilltë të rrethanave duke u fokusuar poashtu në mbrojtjen e konsumatorëve dhe situatën ekonomike aktuale”- shkruan në vërejtjet e Presidencës.

Sipas Presidencës, në këtë moment, një vendim i mundshëm nga Rregullatori për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët do të ishte në kundërshtim edhe me kornizën ligjore, e cila obligon ZRrE-në që ta sigurojë mbrojtjen e konsumatorit, përkatësisht Neni 1, Ligji për Rregullatorin e Energjisë.

Megjithëse synimi është që të rritet siguria dhe furnizimi me energji gjatë vitit 2025, në përputhje me nevojat energjetike të vendit, Presidenca thotë se rritja e çmimit të energjisë elektrike po parashihet të bëhet në një periudhë kohore kur veçse po ballafaqohemi me çmime të larta të produkteve në treg. 

“Ky veprim do të mund të shkaktonte një valë të re të inflacioni në vend, si dhe të ndikonte drejtpërdrejt në rënien e fuqisë blerëse të qytetarëve”- shkruan në vërejtjet e Presidencës, duke shtuar se rritja e çmimit të energjisë ka një efekt të drejtpërdrejtë dhe shumë të rëndësishëm nëekonominë e një vendi.

Presidenca ngrit shqetësimin se çmimi i energjisë është i lidhur ngushtë me inflacionin, si dhe me koston e jetesës dhe se një rritje e tillë e çmimit të energjisë do të kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të qytetarëve, duke rritur barrën e tyre financiare.

“Kjo do të përfshinte edhe rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe shërbimeve të tjera thelbësore”- deklaron Presidenca.

Presidenca thotë se ndërsa disa mund të argumentojnë se Kosova ka çmimin më të lirë të energjisë në rajon, ky qëndrim do të ishte i saktë vetëm nëse analizohet në një kontekst të izoluar dhe se për një vlerësim real të kostos së energjisë, duhet të merret parasysh fuqia blerëse e qytetarëve, të ardhurat mesatare dhe Bruto Produkti Vendor për kokë banori.

“Pas rritjes prej 15%, Kosova do të ketë një nga kostot më të larta të energjisë, jo vetëm në rajon, por edhe përtej. Po ashtu, paga mesatare në Kosovë është shumë më e ulët krahasuar me vendet e tjera të Europës, duke bërë që rritja e çmimit të energjsë”- shkruan tutje.

Si përfundim, Presidenca ka rekomanduar që përpara se të miratohet rritja e çmimit të energjisë elektrike, ZRrE-ja, duhet të angazhohet në monitorimin e menaxhimit të energjisë nga KEK-u dhe ta rrisë efikasitetin në prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë, duke kontribuar në uljen e nevojës për import dhe në menaxhimin më të mirë të burimeve. 

Sipas këtij institutucioni qendror, rritja e çmimit të energjisë nuk duhet të jetë opsioni i parë dhe i vetëm për të adresuar sfidat financiare, por një zgjidhje më e balancuar dhe e qëndrueshme duhet të jetë në qendër të këtij procesi.

Kallxo Përnime ka raportuar më 14.03.2025 se Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) kishte  propozuar rritje të çmimit të energjisë elektrike përreth 15%. Shtrenjtimi i rrymës pritet të ndodhë nga muaji prill i këtij viti.

Më poshtë mund ta ndiqni hulumtimin e plotë në lidhje me çmimin e rrymës:

Si pasojë e diskutimeve për mundësinë e shtrenjtimit të rrymës, aktivistë të nismës “Asnjë cent më shumë” e kanë gjujtur me torte kryetarin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), Ymer Fejzullahu, më 27.03.2025, në Prishtinë.

Torta mbante mbishkrimin “15%”.

Video është publikuar në faqen e Facebookut “KEDS t’i kthehet Kosovës”.