Foto-ilustrim

Paraburgim për pronarin e lokalit në Malishevë, ku dyshohet se u helmuan mbi 200 qytetarë

Gjykata e Gjakovës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj pronarit të lokalit të ushqimeve të shpejta në Malishevë, ku dyshohet se janë helmuar mbi 200 persona.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës së Gjakovës, Lekë Muqaj.

“Të pandehurit K.SH., i është caktuar paraburgimi prej 1 muaji për veprën penale vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë” – ka thënë Muqaj.

Afrim Krasniqi, drejtor në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë, ka njoftuar se numri i personave që dyshohet se u helmuan nga ushqimet që konsumuan në një lokal të ushqimeve të shpejta në Malishevë ka shkuar në 205.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka asgjësuar 64 kilogramë produkte mishi në lokalin ku dyshohet se u helmuan dhjetëra qytetarë në Malishevë.

Shumica e personave të helmuar po trajtohen në QKUK dhe në Spitalin e Prizrenit.