Foto: Komuna e Malishevës

Në 205 shkon numri i personave që dyshohet se u helmuan në Malishevë

Në 205 ka shkuar numri i personave që dyshohet se u helmuan nga ushqimet që konsumuan në një lokal të ushqimeve të shpejta në Malishevë.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com Afrim Krasniqi, drejtor në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë.

“Deri tani 205 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Të gjithë janë paraqitur me simptoma të njëjta, vjellje, temperaturë, ethe. Disa janë duke u trajtuar në Spitalin e Prizrenit, disa në QKUK në Prishtinë”- tha ai.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka asgjësuar 64 kilogramë produkte mishi në lokalin ku dyshohet se u helmuan dhjetëra qytetarë në Malishevë.

Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, ka thënë se në këtë lokal janë marrë 5 mostra të produkteve ushqimore dhe 26 strisho nga hapësirat e punës mjetet e punës dhe duart e personelit.

Edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka reaguar lidhur me helmimin e disa qytetarëve në Malishevë.

Ai ka thënë ka vizituar të premtën të hospitalizuarit në Klinikën Infektive në QKUK.

Sipas tij, gjendja e të gjithë të hospitalizuarave pas marrjes së trajtimit mjekësor është e qetë dhe stabile.

Ndërsa, ka shtuar se Inspektoratet dhe organet ligjzbatuese janë në terren dhe kanë marrë të gjitha të dhënat lidhur me rastin dhe burimin e shkakun e helmimit.