Pamje nga takimet e ndara të Kurtit e Vuçiqit me udhëheqësit europianë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot mbajtën dy takime të ndara në Bruksel. 

Ata u takuan me kancelarin gjerman Olaf Scholz, presidentin francez, Emmanuel Macron, kryeministren italiane, Giorgia Meloni, shefin e diplomacisë europiane Josep Borrell dhe emisarin për dialog Mirosllav Lajçak.

Pas këtyre takimeve nuk ka pasur asnjë deklaratë për media, e as ndonjë deklarim në ndonjë platformë.

Përderisa nga Këshilli Europian janë publikuar video se si filluan takimet e dy prijësve të dy vendeve fqinje.

Pas takimeve Borrell tha se puna ende po vazhdon përderisa tha se mbase duhet lënë mbledhjen e BE-së dhe të ulen sërish me dy liderët për të provuar nëse mund të gjejnë zgjidhje brenda dialogut.

Dje, Qeveria e Kosovës ka pranuar që plani i ri, i propozuar nga pesë emisarët fundjavën që lamë pas, të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, SHBA, Gjermani, Francë dhe Itali.

Plani përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7.