Foto: Presidenca e Kosovës/Facebok
Osmani takohet me të Ngarkuarën për Punë të misionit të SHBA-së, flasin edhe për strukturat ilegale në veri
07.9.2024 - 19:11
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim të Ngarkuarën me Punë të misionit të SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati.
Sipas njoftimit të Presidencës së Kosovës, ato kanë biseduar për zhvillimet e fundit në vend, me fokus të veçantë në zhvillimet e sigurisë, si dhe tema të tjera të interesit të përbashkët.
Në takim u diskutua edhe për rëndësinë e bashkërendimit me partnerët e Republikës me qëllim të suksesit të qëndrueshëm në përmbushjen e objektivave të përbashkëta.
“Tutje, pothuajse një vit pas aktit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, Presidentja Osmani theksoi se mungesa e llogaridhënies dhe drejtësisë për personat përgjegjës është në dëm të paqes e sigurisë jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon” – thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës të datës 07.09.2024.
Ajo potencoi po ashtu se ekzistimi i strukturave ilegale në veri e mban peng integrimin e plotë të komunitetit serb, dhe se luftimi i strukturave ilegale është në dobi të vet qytetarëve në atë pjesë dhe të sundimit të ligjit.