Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani Foto: Denis Sllovinja /KALLXO.com

Osmani për bllokimin e qytetarëve të Kosovës nga autoritetet e Serbisë: Përgjegjës për këtë është Vuçiq

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, si i vetmi përgjegjës për ndalimin e autobusëve të operatorëve të ndryshëm të Kosovës nga autoritetet kufitare serbe në pikën kufitare Kroaci-Serbi, në Batrovci.

Osmani tha se Serbia po hakmerret ndaj qytetarëve të Kosovës një ditë pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku iu dha drita e gjelbër anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Europës.

“Serbia po hakmerret ndaj qytetarëve të Kosovës një ditë pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, duke mbajtur peng shumë qytetarë të Kosovës në pikat kufitare, duke i frikësuar, konfiskuar dokumente dhe duke i privuar nga ushqimi. Një njeri është përgjegjës për këtë: Vuçiq. Ashtu siç bëra gjatë gjithë ditës, u bëj thirrje partnerëve tanë për veprim të shpejtë”- ka shkruar Osmani në rrjetin social “X”.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se më 16.04.2024, në orët e vona, pak orë pas votimit në favor të Kosovës të Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, institucionet janë njoftuar që në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci, autobusë të operatorëve të ndryshëm të Republikës së Kosovës, të cilët duhej të kalonin tranzit nëpër Serbi, janë ndaluar nga autoritetet kufitare të Serbisë.

Sipas MPJD-së, qytetarët e Kosovës që po vinin në drejtim të Kosovës janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë, te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë dhe nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas.

Sipas tyre, të gjithë udhëtarëve u janë marrë dokumentet personale si dhe ato të autobusëve.

Një pjesë e autobusëve me targa të Kosovës, që ishin ndaluar nga autoritetet serbe në pikën kufitare me Kroacinë, tashmë kanë filluar që të vazhdojnë rrugën e tyre.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com Jakup Berisha, kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor të udhëtarëve.

Gjithashtu, kompania turistike “Zhitia Turist” ka njoftuar se në orën 15:00 janë nisur autobusët e tyre për në destinacionet përkatëse.

Bashkimi Europian është i informuar për rastin e ndaljes së udhëtarëve dhe autobusëve nga Kosova nga autoritetet e Serbisë dhe është duke ndjekur situatën për së afërmi. Në këtë rast BE-ja konstaton se Serbia është duke e shkelur marrëveshjen për lirinë e lëvizjes.

“Ne jemi në dijeni për situatën dhe po e përcjellim për së afërmi. Marrëveshja për lirinë e lëvizjes e arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, cakton parametrat e qartë rreth hyrjes dhe daljes së qytetarëve të Kosovës në dhe nga Serbia. Situata momentale paraqet shkelje të kësaj marrëveshjeje” – ka deklaruar zëdhënësi i BE-së Peter Stano.

Ai shtoi se BE-ja “fton Serbinë që të përmbahet nga veprimet e tilla unilaterale dhe të pakoordinuara dhe menjëherë t’i kthehet respektimit të marrëveshjes“.

Por, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë i ka mohuar akuzat se ka ndaluar autobusë me udhëtarë kosovarë në kufijtë e saj me Kroacinë dhe Hungarinë. Ajo shtoi se janë “duke u forcuar kontrollet kufitare”.