Opozita mirëpret vendimin për vizat

Liderë të partive politike në vend, kanë uruar qytetarët e Kosovës për vendimin e Parlamnetit Evropian për liberalizimin e vizave.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se vendimi i PE-së është i mrëseardhur dhe se urimet i meritojnë qytetarët e vendit.

“Vendimi i Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, edhe pse shumë i vonuar, është mëse i merituar e i mirëseardhur. Prandaj, para se gjithash, sot urimet i meritojnë qytetarët tanë. Shpresoj që ky vendim të hyjë në fuqi sa më parë”- ka shkruar Krasniqi.

Ndërkaq, i pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku thotë se feston këtë moment historik dhe pret një të ardhme të Kosovës brenda familjes evropiane.

“Një ditë e paharrueshme për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj pasi liberalizimi i shumëpritur i vizave miratohet përfundimisht nga Parlamenti Evropian. Një trajtim i padrejtë më në fund e pa fundin. Ne e festojmë këtë moment historik dhe presim me padurim një të ardhme brenda familjes evropiane”- ka shkruar Abdixhiku.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka falënderuar eurodeputetët për marrjen e këtij vendimi.

Sipas Haradinajt tashmë është momenti që Kosova po ashtu ta marrë sa më shpejt konfirmimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Lajm i mrekullueshëm nga Parlamenti Evropian, që sot heqi pengesën e fundit për liberalizimin e vizave për Kosovën. Falënderim i veçantë për eurodeputetët për marrjen e këtij vendimi meritor dhe për gjithë ata që kontribuan që ky proces të përmbyllet me sukses”- është shprehur Haradinaj.

“Tani është momenti që Kosova po ashtu ta marrë sa më shpejt konfirmimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe fillimin e Partneritetit për Paqe. Urime Kosovë”- ka shtuar ai.

Parlamenti Evropian ka miratuar sot në seancën plenare vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ai do të nënshkruhet zyrtarisht ditën e nesërme në Strasbourg nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së, ku do të jetë prezent dhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.

Parlamenti Evropian miraton vendimin për liberalizimin e vizave