Radoiçiq konfirmon pjesëmarrjen në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë
Nënkryetari i Listës Serbe në Kosovë, Millan Radoiçiq, ka konfirmuar pjesëmarrjen në sulmin terrorist të 24 shtatorit në të cilin ka mbetur i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.
“Dua të ua bëj të qartë që nuk jemi terroristë por luftëtarë për lirinë e popullit tonë”- është një pjesë e letrës së Radoiçiqit që e lexoi avokati i tij, Goran Petronijeviq.
Radoiçiq po ashtu ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe. Këtë e konfirmoi avokati i tij, Goran Petronijeviq.
Në letrën e tij, Radoiçiq ka shkruar se meqënëse aty nuk ishte në kuadër të Listës Serbe, jep dorëheqje nga pozita e tij në këtë parti politike që funksionon në Kosovë.
“Jap dorëheqje të parevokueshme në vendin e nënkryetarit të Listës Serbe. Jam i gatshëm që në lidhje me këto ngjarje t’u përgjigjem ftesës së organeve të Serbisë. Rroftë Serbia. Millan Radoiçiq”- kjo është deklarata e tij.
Ai po mban një konferencë të jashtëzakonshme në Qendrën Mediale në Beograd nga ku edhe lexoi një letër të Radoiçiq.
Avokati Petronijeviq tha se nuk ka arritur që të shoh pamjet që janë transmetuar se klienti i tij ka qenë pjesë e grupit që mori pjesë në sulmin e 24 shtatorit.
Por ajo çka konfirmoi avokati Petronijeviq është se Milan Radojiçiq nuk ka qenë i plagosur dhe nuk është trajtuar në aspektin shëndetësor.
“Unë nuk mund të gjykoj asgjë se këtë incizim fatkeqsisht as nuk e kam parë, për sa i përket gjendjes shëndetësore, as nuk ka qenë i plagosur as nuk ka qenë i trajtuar”- tha avokati Petronijeviq.
Avokati i Radoiçiq nuk ka pranuar të përgjigjet në pyetjet e gazetarëve të cilat lidhen me armatimin dhe organizimin e sulmit terrorist të mbi 30 personave në Banjskë të Zveçanit.
Në këtë sulm terrorist u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku. Por, avokati i Radoiçiq ka deklaruar se plumbi nuk ka qenë për të.
“Polici i Kosovës ka humbur jetën nga shpërthimi nga plumbi, nga një plumb i cili nuk ishte as për të as për dikë tjetër. Nëse ndodh që do të ketë ndonjë deklaratë për këtë atëherë do të flasim”- tha avokati tutje.
Në pamjet e dronit të cilat u publikuan nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, shihet Millan Radoiçiq me disa nga pjesëtarët e grupit terrorist në hapësirat e jashtme të bujtinës e cila ishte pjesë e Manastirit të Zvecanit.
KALLXO.com ka qenë dhe ka raportuar nga afër për situatën në Banjskë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.
Kush është avokati i Radoiçiq?
Goran Petronijeviq, avokati i Millan Radoiçiq, pas diplomimit në vitin 1983, u punësua në Gjykatën e Parë Komunale të atëhershme në Beograd si praktikant, më pas si bashkëpunëtor profesional dhe nga viti 1989 si gjyqtar.
Në vitin 1996 u zgjodh gjyqtar i Gjykatës së Qarkut në Beograd dhe në vitin 1997 u bë zëvendëskryetar i Gjykatës së Qarkut në Beograd.
Nga viti 1998 deri në qershor 1999 ka qenë gjyqtar i Gjykatës së Qarkut në Pejë dhe gjykatës hetues special i Ministrisë së Drejtësisë së RFJ-së për hetimin e krimeve të luftës në territorin e Kosovës.
Ai është avokat që nga qershori i vitit 2001.
Si avokat ka mbrojtur rastet më të njohura në fushën e krimit të organizuar dhe krimeve të luftës para gjykatave vendore dhe ndërkombëtare. Klientët e tij më të famshëm janë Rade Markoviq, ish-shefi i Sigurimit të Shtetit të RFJ-së (njeriu i shërbimit ushtarak në shërbimin civil serb), Aco Tomiq, ish-shefi i Sigurisë Ushtarake të RFJ-së, Veselin Šljivančanin – para Tribunalit të Hagës, Radovan Karaxhiq, ish-lideri i serbëve të Bosnjës, i cili u dënua për gjenocid në Tribunalin e Hagës.
Ai është themelues i Lëvizjes për Serbinë, shtëpisë mediatike “Russian Express” dhe organizatës joqeveritare “Qendra për rivendosjen e së drejtës ndërkombëtare”. Subjekt politik serb, i financuar nga Rusia.