Albulena Haxhiu - Foto: Kallxo.com

Haxhiu: 31 mjete transportuese të konfiskuara në Banjskë i janë dhënë në shfrytëzim Policisë

Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se 31 mjetet të konfiskuara në rastin “Banjska”, i janë dhënë në shfrytëzim Policisë së Kosovës për nevojat e saj.

“Para pak kohës, Agjencia për Konfiskim dhe Menaxhim të Pasurisë së Sekuestruar apo të konfiskuar ka pranuar vendimin e Gjykatës që ndërlidhet me konfiskimin e 31 mjeteve transportuese të cilat ndërlidhet me rastin që po hetohet nga Prokuroria Speciale, pra rasti Banjska. Pra janë 31 mjete transportuese të konfiskuara dhe të cilat Ministria e Drejtësisë ia ka dhënë në shfrytëzim Policisë së Kosovës për nevojat të cilat i ka”- u shpreh ajo.

Haxhiu ka folur edhe për pasuritë e sekuestruara për të cilat ka thënë se në këtë fazë legjislacioni nuk lejon që të jepen në shfrytëzim për Policinë, por sipas saj, sapo ta ketë vendim përfundimtar nga gjykata, do t’i jepen në shfrytëzim Policisë së Kosovës.

Ajo tha se kanë nisur ta zbatojnë edhe urdhrin e gjykatës që ndërlidhet me menaxhimin e pasurisë e cila është e sekuestruar, e që bëhet fjalë për vilën e Millan Radoiçiqit- lideri i grupit për sulmin terrorist në Banjskë, restorantin e tij dhe banesën në emër të ish-bashkëshortes së tij.

Haxhiu ka thënë se presin nga partnerët ndërkombëtarë të shtojnë presionin mbi Serbinë.

“Është e habitshme se si ende pas sulmit ne Banjskë, nuk ka aktakuzë për kryekrimineli Millan Radojiçiq dhe grupin e tij kur tashmë dihet kush e ka udhëhequr këtë sulm. Tashmë këta persona janë në listë të INTERPOL, ne nuk presim që Serbia të reflektojë, por kemi bërë thirrje nga partnerët tanë të bëjnë presion Serbisë që është shndërruar në strehë të kriminelëve”- ka thënë ajo.

Automjete, anije, thika, pllaka antiplumb, dronë, gëzhoja e pajisje të tjera janë sekuestruar si prova materiale nga Policia e Kosovës gjatë aksionit të bastisjeve që është zhvilluar mëngjesin e 29.09.2023 në veri të Kosovës. Ato kishin të bënim me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24.09.2023 mbi Policinë e Kosovës.

Sipas Policisë, bastisjet ishin kryer kryesisht në pronat të cilat janë të evidentuara si prona të të dyshuarve Millan Radoiçiq dhe Vladimir Radojeviq.

Pas kontrollit në pronat e të dyshuarve janë sekuestruar në cilësi të provave materiale: 2 automjete  Mercedes, 4.84 Kg argjend, 2 motora 4X4, 1 Anije, 7 DVR, 2 pllaka antiplumb me dy mbrojtës, 3 thika, 2 rutera, 2 celësa të veturave, 5 gëzhoja, 1 dronë, 5 USB, 1 kamerë GoPro- SSD, 1 video kamerë me kartelë, 1 shënjestër optike, 1 Spray, 7 telefona celular.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla pati publikuar pamje nga vila në afërsi të liqenit të Ujmanit, që i përket nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiqit.

Sveçla tha se pamjet dëshmojnë për një “Pablo Escobar” të rajonit.

Më 24.09.2023 në Banjskë të Zveçanit një patrullë e Policisë së Kosovës ishte sulmuar me mjete shpërthyese.

Rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku ishte vrarë, një polic tjetër ishte plagosur dhe një tjetër ishte lënduar në këtë sulm.

Gjatë kundërsulmit nga Policia e Kosovës ishin vrarë së paku 3 pjesëtarë të grupit të udhëhequr nga Millan Radoiçiq, disa ishin arrestuar e shumica kishin ikur në drejtim të territorit të Serbisë.

Aktualisht, Millan Radoiçiq gjendet në Serbi. Ai kërkohet nga INTERPOL-i.