Nikçi: Linja anonime për lajmërimin e shkeljeve të të drejtave të punëtorëve

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, ka thënë se që nga viti i kaluar, qytetarët dhe punëtorët kanë linjë anonime për lajmërimin e shkeljeve të të drejtave të punëtorëve në vendet e tyre të punës.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” ka shtuar se janë dy mekanizma ku këta punëtorë ose qytetarët mund t’i lajmërojnë këto parregullsi në Inspektoratin e Punës.

“Është linja pa pagesë, 0800 77 577 dhe është e-mail adresa zyrtare e Inspektoratit të Punës: [email protected]“  – tha Nikçi.

Të gjitha këto, thirrjet apo edhe raportimi në e-mail adresë, Nikçi thotë se u intereson vetëm lokacioni, adresa, emri dhe shkelja e punëdhënësit.

“Është operatori që e kemi në Inspektorat që lajmërohet në telefon, nuk është inspektor por është në administratë. Në këto të dhëna ka qasje ky operator dhe zyrtari për qasje në dokumente publike. D.m.th. ruhet konfidencialiteti i këtyre informatave në bazë të Ligjit për sinjalizim” – shtoi tutje Nikçi.

Nikçi po ashtu ka thënë se me inspektime janë duke bërë që bizneset të kenë edhe zyrtarin për burime njerëzore.

“Nga 7,313 inspektime që janë realizuar nga janari në nëntor të këtij viti të gjitha këto inspektime kanë kërkuar edhe një diçka të tillë. Janë inspektuar gjithësej 43,617 punëtorë” – ka shtuar tutje Nikçi.

BIRN ka prezantuar të enjten raportin mbi gjetjet për të drejtat e punëtorëve dhe sigurinë në punë për punëtorët për vitin 2023, të titulluar “Viktimat e padrejtësisë”.

Të dhënat nga ky raport dokumentojnë se ekzekutivi dhe gjyqësori kanë bërë një zhvillim të vogël në adresimin e çështjeve lidhur me marrëdhënien e punës, veçanërisht te siguria në punë ku aksidentet me fatalitet në vend vazhdojnë të rriten.

“Gjatë viteve 2021 – 2023, 33 punëtorë kanë vdekur nga 763 aksidente në punë. Statistikat tregojnë që vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2023 kanë vdekur 9 punëtorë. Kjo tregon një rritje të rasteve të vdekjeve të punëtorëve si pasojë e aksidenteve në vendin e punës” – thuhet në raportin e publikuar.

Këtë raport mund ta gjeni duke klikuar në këtë LINK.