Emri i kryeinspektorit të Punës së Kosovës nën shtetin e Serbisë në Selanik, organizatorët e quajnë gabim të paqëllimshëm

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës të Republikës së Kosovës, Hekuran Nikçi, ka braktisur më 04.03.2024 Kongresin Ballkanik për Siguri dhe Shëndet në Punë që po zhvillohet në Selanik.

Sipas një komunikate për media, pasi janë publikuar në faqen zyrtare të Kongresit emrat dhe shtetet që përfaqësojnë folësit, emri i Nikçit është publikuar nga organizatorët e Kongresit nën shtetin e Serbisë.

Kongresi Ballkanik për Siguri dhe Shëndet në Punë e ka quajtur gabim të paqëllim publikimin e emrit të Nikçit nën shtetin e Serbisë.

“Siç ia kemi shpjeguar tashmë z. Nikçit, ishte një gabim i paqëllimshëm që nuk ka të bëjë me perspektivat politike dhe nuk është bërë me qëllim për ta fyer atë personalisht dhe vendin tuaj në përgjithësi”- thuhet në përgjigje për KALLXO.com nga ky Kongres.

Nga Kongresi kanë thënë se emri i Hekuran Nikçit është shkruar saktë në programin e shtypur si dhe programin online.

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, braktis Kongresin e Selanikut pasi emri i tij si folës doli nën shtetin e Serbisë