Foto: FFK/Facebook
Ngritje historike e Kosovës, shtatë vende më lartë në ranglistën e FIFA-së
Në renditjen më të re të publikuar nga FIFA, Kosova ka shënuar një ngritje të theksuar prej shtatë pozitash, duke kaluar nga vendi i 91-të në vendin e 84-të në listën e FIFA-s për kombëtare.
Kjo ngritje vjen si rezultat i paraqitjeve pozitive të “Dardanëve” në ndeshjet e fundit në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Një nga momentet kryesore që ka ndikuar në këtë ngritje vlerësohet të jetë ndeshja e fundit ndaj Suedisë, ku Kosova shënoi fitore historike në udhëtim. Fisnik Asllani ishte heroi i takimit, duke realizuar golin e vetëm të ndeshjes, i cili rezultoi vendimtar.
Përmirësim ka shënuar edhe Kombëtarja e Shqipërisë, e cila është ngjitur për pesë pozita dhe aktualisht renditet në vendin e 61-të. Edhe kuqezinjtë kanë regjistruar rezultate të mira në ndeshjet e fundit, duke fituar pikë të mjaftueshme për të ngjitur disa shkallë në listën botërore. Shqipëria mposhti Serbinë në Leskoc.
Spanja nuk ka lëvizur nga vendi i parë, teksa Franca renditet në vendin e dytë, duke zënë vendin e Argjentinës e cila ka kaluar në vendin e tretë. Anglia vazhdon të mbes në vendin e katërt e pasuar nga Portugalia që mban pozitën e pestë. Gjermania ka hyrë në dhjetëshen e parë, duke u ngjitur për dy pozita, nga vendi 12 ku ishte paraprakisht.
Në listën e ndryshimeve të tjera, Nigeria ka pasur ngjitjen më të madhe, për 9 pozita, kurse Ishujt Faroe kanë regjistruar numrin më të lartë të pikëve të fituara në këtë përditësim, me një shtesë prej +37.95 pikësh.
Në anën tjetër, Greqia ka pësuar rënien më të madhe në pozicion, duke humbur tetë vende, ndërsa Suedia ka humbur më së shumti në pikë, me një rënie prej -27.63 pikësh — rezultat që ndërlidhet edhe me humbjen ndaj Kosovës.
Në pozitën e fundit në ranglistën e FIFA-së, respektivisht në vendin e 210, është San Marino.