Kuvendi sot mban dy seanca, në rend dite edhe pesë marrëveshje ndërkombëtare

Pesë marrëveshje ndërkombëtare janë në rend të ditës për votim në seancën e Kuvendit të Kosovës që pritet të mbahet sot më 23.05.2024.

Për tri marrëveshje ndërkombëtare do të mbahet seancë e jashtëzakonshme, ndërsa dy marrëveshje të tjera ndërkombëtare pritet të votohen në seancën e rregullt të Kuvendit, e cila po ashtu është caktuar për sot.

Kuvendi i Kosovës pas disa muajsh përpjekje ka miratuar më 16.05.2024 dhjetë marrëveshje ndërkombëtare.

Miratimi i tyre u bë i mundur pas sigurimit të votave nga PDK-ja, e cila deklaroi se që do i mbështesin ato.

Pro këtyre dhjetë marrëveshjeve kanë votuar edhe deputetët e dy partive tjera opozitare LDK dhe AAK.

Marrëveshjet ndërkombëtare në rend të ditës më 23.05.2024:

– Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Amendamentit të Marrëveshjes për Themelimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (“Marrëveshja”) – neni 1,

– Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve profesionale për infermier, kirurg veterinar, farmacist dhe mami në kontekstin e Marrëveshjes së tregtisë të lirë të Evropës Qendrore, dhe

– Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës (BZHKE) për Projektin “Banimi social adekuat”

– Votimi i Projektligjit për ratifikimin e “Marrëveshjes së bashkëfinancimit për hartimin e Projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren”,

– Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e “Amendamentimit nr.1 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2020”.