Diga e Batllaves Foto: Denis Sllovinja /KALLXO.com

Liqeni i Batllavës tejkalon pikën maksimale të nivelit të ujit (VIDEO)

Reshjet e mëdha të shiut ditëve të fundit kanë bërë që niveli i ujit në Liqenin e Batllavës të kalojë pikën maksimale.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësja  e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arjeta Mjeku, në një deklaratë për KALLXO.com.

“Kuota makismale e liqenit te Batllaves është 635.00, ndërsa aktualisht është në 635.07 që d.mt.h liqeni është ne kapërderdhje” – deklaroi Mjeku.

Koordinatori dhe Parashikuesi i Motit në Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), Besim Aliu, ka deklaruar reshjet e shiut do të vazhdojnë deri në fund të muajit maj.

“Do të ketë stuhi më të dobëta, shkon herë pas here duke u stabilizu, por reshjet do të vazhdojnë deri në fund të majit nuk ka me qenë stabile, ka me pas reshje. E pamë dje sa pat reshje, ndërsa në rrafshin e Dukagjinit pjesa veriore dhe perëndimore nuk pat fare reshje”- ka thënë Aliu për KALLXO.com.

Sipas IHMK-së, sot, më 23.05.2024, do të mbajë mot i vranët dhe vende-vende me riga shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 9-12 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 20-25 gradë Celsius.

“Do të fryjë erë e lehtë kryesisht nga drejtime i juglindjes” – thuhet në njoftimin e IHMK-së.

Ndërsa të premten, më 24.05.2024, do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell. Temperauturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10-13 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 22-27 gradë Celsius.

“Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperendimit e lehtë deri mesatare” – vazhdon njoftimi i IHMK-së.