Komisioni për Legjislacion miraton Projektligjin për burgjet me Danimarkën

Me shtatë vota për dhe me dy abstenime është miratuar Projektligji për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit.

Dy deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra dhe Hajdar Beqa, abstenuan, kurse deputetët e Lëvzjes Vetëvendosje, Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe deputeti Erxhan Galushi, votuan pro.

Çështja kryesore e trajtuar në këtë projektligj është ratifikimi i Traktatit për shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan të nënshkruar nga ministrat e Drejtësisë të të dy vendeve, më 26.04.2022 në Prishtinë dhe 16.05.2022 në Kopenhagë të Danimarkës.

Projektligji u kthye në Komision pas vendimit të fundit të Qeverisë më 20.05.2024, në një mbledhje elektronike miratoi këtë projektligj.

I njëjti dështoi në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës më 16.05.2024, arriti të miratohet vetëm katër ditë më pas. Kundër pasi që votuan 75 deputetë dhe 13 vota ishin kundër kësaj marrëveshje. Ndërkaq gjithsej duhen 80 vota për të kaluar një ligj i tillë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi njëherazi kryetar i Komisionit, kërkoi që ky projektligj të votohet për hir të raporteve të mira me Danimarkën.

“Kemi vizituar Mbretërinë daneze dhe kemi parë kushtet e burgjeve atje. Ky traktat forcon raportet mes Kosovës dhe Danimarkës. Mos të cenohet raporti jonë si shtet me miqtë tanë për shkak të betejave tona politike mes vete”- tha ai gjatë mbledhjes së komisionit.

Projektligji u votua dhe nuk pati fare diskutime nga ana e anëtarëve të komisionit përkatës.

Ndërsa, një javë më parë në seancën e Kuvendit të Kosovës, nga opozita pro kësaj marrëveshje votuan Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ndërsa Partia Demokratike e Kosovës përkundër deklarimit të dhënë më datë 15.05.2024, se do t’i mbështesin marrëveshjet ndërkombëtare, kur u hodh në votim kjo marrëveshje, deputetët e saj votuan kundër.

Kosova dhe Danimarka kanë nënshkruar letër-pëlqim për sjelljen e 300 të burgosurve nga Danimarka në Kosovë në dhjetor të vitit 2021, ndërsa në prill të vitit 2022, dokumenti është shndërruar në traktat. Qeveria e Kosovës ka miratuar më 07.06.2023 projektligjin për ratifikimin e këtij traktati.

Traktati ka kohëzgjatje prej dhjetë vjetësh. Aty parashihet që Danimarka të marr në shfrytëzim qeli, të vetme dhe të përbashkëta në burgun e Gjilanit. Në këmbim të kësaj, Kosova do të kishte përfituar mbi 200 milionë euro.