Pasaporta e Kosovës, Foto: Flaka Fazlija - Kallxo.com

Nga 22 shkurti qytetarët e Kosovës udhëtojnë pa viza në Emiratet e Bashkuara Arabe

Qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në Emiratet e Bashkuara Arabe nga data 22 shkurt 2024.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, përmes një shkrimi në rrjetin Facebook bëri të ditur se sot kanë pranuar notën verbale përmes të cilës janë informuar për datën e hyrjes në fuqi të Memorandumit të nënshkruar mes dy vendeve.

“Pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit mes Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, sot kemi pranuar Notën Verbale nga Ministria e Jashtme e EBA-s, përmes së cilës jemi informuar se data e hyrjes në fuqi të Memorandumit të Mirëkuptimit, të nënshkruar me datën 11.01.2024,  do të hyn në fuqi me datën 22.02.2024” – bëri të ditur Gërvalla.

Ministrja tutje theksoi se për përfundimin me sukses të këtij procesi falënderon presidenten Vjosa Osmani për kontributin e dhënë në arritjen e kësaj marrëveshjeje mes dy shteteve, presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, sheik Mohamed bin Zayed Al Nahyan si dhe homologun e saj, Abdullah bin Zayid Al Nahyan.

“Kështu, me hapa të sigurtë po fuqizojmë subjektivitetin tonë ndërkombëtar dhe po arrijmë të zgjerojmë jo vetëm lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë”- shtoi më tej ministrja.

Qytetarët e Kosovës nga data 1 janar 2024 kanë fituar të drejtën e udhëtimit pa viza në Zonën Schengen.

Derisa ditë më parë Mbretëria e Bashkuar hoqi vizat për personelin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës.