Në komunën e Gjilanit nuk dinë si t’i regjistrojnë pasuritë

Komuna e Gjilanit, kishte bërë në disa raste mbivlerësim e në disa nënvlerësim të pasurisë.

Komuna e Gjilanit vazhdon të mos bëjë regjistrimin e pasurive siç kërkohet me ligjet në fuqi. Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur disa dobësi e parregullsi në mënyrën se si janë regjistru pasuritë nga komuna e udhëhequr nga Lutfi Haziri.

Auditori thotë se gjatë testimeve ka gjetur se gjashtë pagesa në vlerë prej 92,940 euro nuk i ishin regjistruar në regjistrat e pasurisë, këto pagesa i takojnë pasurisë kapitale. Gjithashtu komuna kishte pranuar pasuri nga palët e jashtme, në vlerë prej 50,409 euro. Prej saj sipas auditorit vetëm 2,600 euro, ishin regjistruar si pasuri kapitale, ndërsa pajisjet në vlerë 47,809 euro nuk ishin regjistruar në regjistra të pasurisë.

Gjetje tjetër ishte se pasuritë në vlerë 6,360 euro ishin regjistruar tek aplikacioni Excel, si pasuri nën 1,000 euro ndërsa kjo pasuri i takon pasurive kapitale. Po ashtu, komuna kishte blerë pasuri në vlerë 78,000 euro, për ndërmarrjen “Tregu”, kjo pasuri ishte regjistruar në regjistra të pasurisë dhe nuk ishte transferuar të kjo ndërmarrje.

“Kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së kontrolleve dhe njohurive të kërkesave të rregullores për menaxhimin e pasurisë. Zyrtarët komunal nuk na kanë ofruar shpjegime për rastet e lartcekura”, thuhet në raportin e auditorit për vitin 2019.

Auditori tregon se mos regjistrimi i pasurisë dhe regjistrimi i gabuar ndikon në mbivlerësim/nënvlerësimin e regjistrit të pasurive, dhe nga kjo rrjedhimisht ndikon që informatat e paraqitura në PFV të mos jenë të sakta.

Auditorit i rekomandon kryetarit se duhet të sigurojë që artikujt e blerë të regjistrohen në regjistrat përkatës të pasurisë sipas kërkesave të rregullores për menaxhimin e pasurisë. Gjithashtu sipas auditorit pasuria e blerë për ndërmarrjen Tregu të largohet nga regjistri i pasurisë së komunës.

Komuna gjithashtu nuk kishte përdorur sistemin e-pasuria.

“Vlera totale e pasurive jo kapitale nën vlerën 1,000 euro në PFV ishte 1,307,174 euro. Komuna nuk përdorë programin e-pasuria për evidentimin dhe menaxhimin e pasurisë nën 1,000 euro. Komuna aplikon programin Excel për evidentimin e kësaj pasurie, dhe në këtë program nuk regjistrohen pasuritë sipas vlerës individuale të artikullit, por sipas shumës së transaksionit të ndodhur. Për shkak të mundësisë së manipulimit me të dhëna dhe për shkak se nuk aplikohet zhvlerësimi i pasurisë, vlera e shpalosur e pasurisë në PFV konsiderohet si e pasaktë”, thuhet në raport.

Mos përdorimi i programit e-pasuria sipas auditorit për evidentimin dhe menaxhimin e pasurisë mundëson manipulimin me të dhëna e deri te keqpërdorimi i saj dhe rrjedhimisht ndikon në mos prezantim të drejtë të vlerës së pasurisë në PFV.

“Mos aprovimi i rregullave dhe procedurave të brendshme mund të ndikojë që pasuria të keqpërdoret apo të humbet”, thuhet në raportin e Auditorit.