Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së

Ndalimi i vizitave te Thaçi, Veseli dhe Selimi, ZPS thotë se ishte përgjigje ndaj përpjekjeve për ndërhyrje në dëshmitarë

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka njoftuar lidhur me kufizimin e vizitave dhe komunikimeve për tre të akuzuarit, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi nga Gjykata Speciale.

ZPS ka bërë të ditur se ka kërkuar një sërë masash për kufizimin e kontakteve dhe komunikimeve të tre të akuzuarve në Qendrën e Paraburgimit në Dhomat e Specializuara – Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Disa nga këto masa janë miratuar nga trupi gjykues, thuhet në komunikatën e ZPS-së.

‘’ZPS e ndërmori këtë hap për të adresuar përpjekjet për ndërhyrje tek dëshmitarët dhe pengimin e dëshmisë së tyre, si dhe kërcënimet e mëtejshme për integritetin e procedurës në çështjen gjyqësore Hashim Thaçi dhe të tjerët. Hetimet e ZPS-së për pengimin e drejtësisë tregojnë se tre të akuzuarit i kanë përdorur vizitat e tyre jo të privilegjuara për të shpërndarë në mënyrë të paligjshme informacione konfidenciale dhe, në rastin e z. Thaçi, për të udhëzuar vazhdimisht vizitorët që të kërkojnë të manipulojnë dëshmitë e dëshmitarëve’’ – thuhet tutje në komunikatën e ZPS-së.

Tutje, ZPS-ja deklaroi që e merr jashtëzakonisht seriozisht pengimin e drejtësisë dhe do të vazhdojë të hetojë dhe të ndjekë penalisht këdo të përfshirë në çdo instancë, përfshirë ata që frikësojnë ose ndërhyjnë në dëshmitarët ose ofrojnë mbështetje financiare ose të tjera për vepra të tilla penale.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë kishte kërkuar në mënyrë urgjente që të akuzuarve në Dhomat e Specializuara në Hagë, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, t’u pezullohen vizitat dhe të gjitha komunikimet brenda Qendrës së Paraburgimit.

Sipas parashtresës së ZPS-së, të njëjtit kishin shkelur urdhrat e trupit gjykues duke zbuluar kështu identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur dhe/ose shpërndarjen e përmbajtjes së dëshmisë konfidenciale për personat që i vizitojnë në Qendrën e Paraburgimit.

Gjykata Speciale ka vendosur që kërkesa të pranohet pjesërisht, duke e përcaktuar vetëm një kategori të individëve të cilët akoma mund të vizitojnë dhe komunikojnë me tre të akuzuarit.

Paneli gjyqësor i përbërë nga gjyqtarët Charles L. Smith III, kryetar, anëtarët Christoph Barthe, Guénawl Mettraux, dhe gjyqtari rezervë Fergal Gaynor, e kanë ndaluar çfarëdo vizite nga individët e paprivilegjuar.

Kjo nënkupton se momentalisht Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi do të mund të takohen dhe komunikojnë vetëm me avokatët e tyre mbrojtës. Por masat ndaluese janë të përkohshme.